Bajselmani: Gjysmëvjetori i dytë filloi sipas planit, 1 mësimdhënëse e infektuar me COVID-19

19.01.2021

Në shtator të vitit të kaluar procesi mësimor kishte filluar me vonesë për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, ku gjithashtu gjysmëvjetori i parë kishte mbaruar më herët se zakonisht. Edhe pse në kohë pandemie nxënësit e kishin filluar mësimin nëpër shkolla duke i zbatuar udhëzimet nga institucionet shëndetësore, ku në rastet e identifikuara pozitive […]

Bajselmani: Gjysmëvjetori i dytë filloi sipas planit, 1 mësimdhënëse e infektuar me COVID-19 Foto: Ilustrim

Në shtator të vitit të kaluar procesi mësimor kishte filluar me vonesë për shkak të situatës me pandeminë COVID-19, ku gjithashtu gjysmëvjetori i parë kishte mbaruar më herët se zakonisht.

Edhe pse në kohë pandemie nxënësit e kishin filluar mësimin nëpër shkolla duke i zbatuar udhëzimet nga institucionet shëndetësore, ku në rastet e identifikuara pozitive me COVID-19, ai grup kalonte në mësim online.

Në Komunën e Suharekës në shtator të vitit të kaluar të gjitha shkollat e kishin filluar procesin mësimor në mënyrë fizike, por me identifikimin e rasteve pozitive disa prej grupeve edhe kishin kaluar online.

Në gjysmëvjetorin e parë në Komunën e Suharekës ishin identifikuar 19 nxënës dhe 87 mësimdhënës me COVID-19, ku prej tyre dy mësimdhënës fatkeqësisht e kishin humbur betejën nga ky virus.

Ndërsa, me 18 janar të këtij viti ka filluar procesi mësimor, gjysmëvjetori i dytë.

Në një prononcim për SuharekaOnline drejtori i DKA-së, Remzi Bajselmani ka bërë të ditur se gjysmëvjetori i dytë ka filluar në të gjitha shkollat në mënyrë fizike, duke e përjashtuar vetëm një klasë në shkollën “Destan Bajraktari”, ku tha se mësimdhënsja është e infektuar me COVID-19, por e njejta është afër shërimit dhe deri në javën tjetër do të vazhdojë me mësim online.

Gjithashtu, Bajselmani bëri të ditur se të gjitha shkollat e komunës janë të përgatitura e të pajisura me dezinfektues dhe pajisje tjera higjienike.

Kujtojmë se javën e kaluar Ministria e Arsimit dhe Shkenës ka dhuruar pako higjienike për secilën shkollë të komunës, të cilat përmbajnë dezinfektues, shampoona dhe termometëra.