Bajselmani: Shkollat e Suharekës janë të gatshme të vazhdojnë mësimin në mënyrë fizike, gjendja është stabile

Numri i rasteve pozitive me COVID-19 në Kosovë gjatë dy javëve të para të muajit mars, ka shënuar rritje të dukshme duke e krahasuar me javët e kaluara.

Javën që lamë pas gjendja me pandeminë, në shkollat e Komunës së Suharekës kishte qenë më e rënduar pasi që ishin identifikuar 7 nxënës të infektuar me COVID-19, prej tyre 6 nga Gjimnazi ”Jeta e Re” në Suharekë dhe një nga SHFMU ”28 Nëntori” në Dobërdelan.

Mirëpo, për dallim nga java e kaluar, kjo javë kishte qenë e qetë dhe stabile, pasi që nuk ka rezultuar pozitiv me COVID-19 asnjë nxënës apo mësimdhënës, kështu ka bërë të ditur për SuharekaOnline, drejtori i DKA-së në Suharekë, Remzi Bajselmani.

Bajselmani, ka bërë të ditur se nxënësi nga SHFMU ”28 Nëntori” në Dobërdelan, i cili kishte qenë i infektuar me COVID-19 është rikthyer në shkollë dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Ai tutje ka thënë se edhe 6 nxënësit e tjerë nga Gjimnazi ”Jeta e Re” në Suharekë, janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe të njëjtit pritet të rikthehen në bankat shkollore gjatë ditës së hënë.

I pyetur për propozimin e Ministrisë së Arsimit për pushimin njëjavor, Bajselmani për SuharekaOnline ka thënë se nvaret nga vendimi që e merr qeveria, duke shtuar se shkollat e Komunës së Suharekës janë të gatshme që të mbajnë mësim sipas skenarit ”A”, në mënyrë fizike, pasiqë gjendja është e mirë, stabile dhe e menaxhueshme.

Gjithashtu, drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani ka bërë thirrje për nxënësit dhe mësimdhënësit e të gjitha shkollave të Komunës së Suharekës, që të respektohen masat anti-COVID, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve.

RAPORTO