Të gjitha subjektet politike kanë dorëzuar lista me nga 30 kandidatë, por vetëm 27 do të fitojnë mandate, varësisht votave të fituara.

Fillimisht, votat e përgjithshme të partisë përcaktojnë sa ulëse i takojnë secilit subjekt politik. Brenda secilës parti, ulëset ndahen për kandidatët me më së shumti vota individuale (vota preferenciale). Bartësit e listave, e kanë të sigurt hyrjen në asamble, nëse partia e tyre fiton mandate.

Ligji për zgjedhje përcakton që së paku 30% e asambleistëve duhet të jenë gra. Për një përbërje prej 27 ulësesh, kjo nënkupton minimumi tetë gra. Nëse pas numërimit të votave dalin më pak se tetë gra të zgjedhura, atëherë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve bën korrigjim të listave: kandidatët meshkuj me më pak vota zëvendësohen me kandidate gra të partisë deri sa të arrihet përqindja e kërkuar.

Në garën për Asamblenë Komunale të Suharekës, partitë kryesore kanë paraqitur këto lista:

  • AAK: 12 femra dhe 18 meshkuj
  • PDK: 13 femra dhe 17 meshkuj
  • LDK: 10 femra dhe 20 meshkuj
  • LVV: 10 femra dhe 20 meshkuj
    Për NISMA dhe Guxo ende nuk ka informacione të plota, pasi listat e tyre janë dorëzuar për verifikim në KQZ.

Në Komunën e Suharekës pritet që partitë kryesore të kenë përfaqësim në Asamble, ndërsa disa subjekte më të vogla mbeten të pasigurta.

Megjithatë, renditja përfundimtare e asambleistëve nuk përcaktohet vetëm nga numri i votave, por edhe nga zbatimi i kuotës gjinore, e cila garanton që në përbërjen e Asamblesë të jenë të përfaqësuara të paktën tetë gra.