Asambleistët e Suharekës me deklaratë të përbashkët kundër aktakuzës ndaj Thaçit dhe Veselit

Në seancën e pestë të rregullt të asamblesë komunale në Suharekë, para shqyrtimit të 7-të pikave të rendit të ditës, kryetari i grupit parlamentar të PDK-së, Jeton Rrakaqi, ka lexuar një deklaratë për padrejtësinë që i është bërë presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, me rastin e ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria e Dhomave të Specializuara.

“Publikimi i paprecedent i pretendimeve për aktakuzë për dy nga themeluesit e UÇK-së, dy personalitetet kryesore të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës, kryetarit të partisë, Kadri Veseli dhe presidentit të vendit, Hashim Thaçi, është veprim kundërthënës.

Veprimi i tillë është shumë negativ dhe shqetësues për mungesën e paanësisë së domosdoshme dhe abuzim i pushtetit nga Zyra e Prokurorit të Specializuar duke lëshuar deklaratën para se Gjykata t’i konfirmojë ose rrëzojë akuzat e ngritura që ai pretendon.

PDK është e bindur se populli shqiptar ka qenë në anën e duhur të historisë, se lufta e popullit tonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare, prandaj edhe fitoi zemrat e gjithë botës perëndimore që u bashkuan në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi.

LEXO EDHE:  Ambient i pastër, 4559 kontenjerë do të shpërndahen në fshatrat e Suharekës

Nuk mund dhe nuk do të lejohet të ndryshohet historia. Serbia ka qenë agresore dhe kryese e krimeve.

Lufta për lirinë tonë e udhëhequr nga UÇK-ja ka qenë e drejtë, e pastër dhe një luftë mbrojtëse çlirimtare, prandaj edhe fitoi zemrat e gjithë botës perëndimore që u bashkuan në përpjekjet e popullit tonë për liri e pavarësi.

Nuk mund dhe nuk do të lejohet të ndryshohet historia. Serbia ka qenë agresore dhe kryese e krimeve makabre dhe gjenocidit në Kosovë.

Ky është një moment vendimtar për të siguruar një mbështetje gjithëpërfshirëse në realizim të nismës së Kryetarit Veseli për riaktivizimin dhe intensifikimin e përpjekjeve të Kosovës për drejtësinë tranzicionale, forcimin e memories kolektive dhe gjetjen e vënien para përgjegjësisë ligjore të kriminelëve që kanë masakruar civilët shqiptarë.

Kjo sfidë nuk do të lejohet as ta ndalë, as ta ndajë, as ta dobësojë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Orientimi euroatlantik i Kosovës dhe miqësia e përhershme me SHBA-në, do të mbesin prioritetet e përhershme të shtetit tonë dhe angazhimi i përditshëm i PDK-së” ka shtuar Rrakaqi.

Deklarata e propozuar nga Rrakaqi ka marr mbështetjen e asamblesitëve të Komunës së Suharekës.