Ankesat në PZAP dhe Gjykatë Supreme shtyjnë inagurimin e institucioneve të reja komunale

11.11.2021

Kolegjet gjyqësore janë duke punuar intensivisht për të trajtuar secilën ankesë, ndërkohë që kanë përfunduar shtatë (7) prej tyre. Kandidatët për asambleistë kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të PZAP-së, në afat prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-së, ndërkaq Gjykata Supreme i ka […]

Ankesat në PZAP dhe Gjykatë Supreme shtyjnë inagurimin e institucioneve të reja komunale Foto: Ilustrim

Kolegjet gjyqësore janë duke punuar intensivisht për të trajtuar secilën ankesë, ndërkohë që kanë përfunduar shtatë (7) prej tyre.

Kandidatët për asambleistë kanë të drejtë të paraqesin ankesat e tyre në Gjykatë Supreme, kundër vendimeve të PZAP-së, në afat prej 24 orëve, nga momenti i pranimit të vendimit të PZAP-së, ndërkaq Gjykata Supreme i ka në dispozicion 72 orë për të vendosur për secilën ankesë, nga momenti i pranimit të tyre në Gjykatë.

Ndryshe PZAP ka pranuar ankesën e kandidatit për asamble komunale nga radhët e AAK-së në Suharekë, Vullnet Luzhnica dhe si rezultat katër vendvotime do të rinumërohen.

Sipas PZAP-së, këto vendvotime do ti nënshtrohen procesit të rinumërimit: 2403A/01R – Mushtisht, 2417A/01R – Studençan, 2424A/02D – Duhël dhe 2421A/01R – Semetisht.

Me rastin e përfundimit të afateve ligjore dhe varësisht nga vendimet e PZAP dhe Gjykatës Supreme, hapet rruga që KQZ të certifikojë rezultatet për asamble komunale, ku pas certifikimit në bazë të nenit 42.2 të Ligjit për Vetqeverisje Lokale fillon të rrjedhë afati për thirrjen e mbledhjes inaguruese sipas të cilit thuhet se: “Mbledhja inaguruese e Kuvendit të Komunës thirret nga kryetari (aty ku është zgjedhur) brenda pesëmbëdhjetë (15) ditësh nga dita e certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve”.

Por kësisoj mbetet në diskrecionin e kryetarëve, të cilët janë zgjedhur me raund të parë se kur mund të thërrasin mbledhjen inauguruese, kjo pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ).