Sot në disa qytete të Kosovës është vërejtur një ndotje e ajrit më e madhe sesa ditëve të kaluara.
Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka sqaruar se kjo gjendje e rënduar ka ardhur për shkak të ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore.
Situatë e rënduar e cilësisë së ajrit është vërejtur sot edhe në qytetin e Suharekës ku në ora 08:00 ndotja e ajrit ka qenë 80 AQI, në ora 09:00 95 AQI dhe në ora 10:00 97 AQI.


” Gjatë ditës së sotme është vërejtur situatë e rënduar e cilësisë së ajrit në mënyrë të veçantë për Grimcat e Pluhurit PM2.5 dhe PM10, në disa stacione matëse të menaxhuara nga Instituti Hidrometeorologjike i Kosovës. Gjendje e rënduar e cilësisë së ajrit për parametrat PM2.5 dhe PM10 është regjistruar në stacionet në Prishtinë (IHMK dhe Rilindja), Prizren, Pejë, Gjilan dhe Mitrovicë.
AMMK sqaron opinionin e gjerë se kjo situatë ka ardhur si rezultat i kushteve aktuale meteorologjike në të cilat ndodhet vendi ynë. Sipas të dhënave meteorologjike të IHMK, Kosova aktualisht është nën ndikimin e masave të nxehta të ajrit me origjinë nga Afrika Veriore. Pluhuri i ardhur nga Sahara në Evropë që ka përfshirë edhe Kosovën ka ndikuar në rritjen e vlerave të grimcave të pluhurit.
Bartja e pluhurit dhe grimcave të vogla të rërës nga Sahara, është një fenomen që përfshinë shpesh Evropën dhe që manifestohet kryesisht me praninë e grimcave të pluhurit në ajër” thuhet në njoftimin e Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.