Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës gjatë 24 orëve të kaluar janë shënuar edhe 489 raste pozitive dhe 28 të vdekjes nga COVID-19, prej të cilave 24 raste pozitive në Komunën e Suharekës.

Nga shifrat e lartpërmendura numri i rasteve aktive në Suharekë ka arritur në 746, gjë që e rendit komunën tonë në vendin e 14-të në nivel komunash.

Tabelën e kryesojnë komunat e mëdha duke filluar nga Prishtina, Prizreni, Ferizaji dhe Peja.

Suhareka nuk renditet lart në tabelë vetëm nga numri i madh i rasteve aktive, por edhe për nga numri i dozave të administruara të vaksinës anti-COVID, ku sipas të dhënave zyrtare deri më tani janë administruar 32,861 doza, gjë që e rendit si komunën e 10-të.

Ndryshe që nga fillimi i pandemisë e deri më tani numri i rasteve pozitive ka arritur në 2,727, ndërsa 97 qytetarë kanë humbur jetën si pasojë e COVID-19 dhe 1,884 janë shëruar.

Ndërsa, që nga fillimi i muajit gusht numri i rasteve pozitive dhe atyre të vdekjeve nga COVID-19 në Kosovë ka shënuar rritje alarmante.