4 vite që nga nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”

08.10.2021

E si rezultat i mosrespektimit së afateve kohore nga ana e operatorit ekonomik dhe shkeljeve të kushteve të kontratës, si dhe mosrespektimit të projektit, më 30 maj 2019 kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kishte njoftuar se është shkëputur kontrata për projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës Ukë Bytyçi”. Përkundër insistimit të Komunës së […]

4 vite që nga nënshkrimi i kontratës për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” Foto: Ilustrim

E si rezultat i mosrespektimit së afateve kohore nga ana e operatorit ekonomik dhe shkeljeve të kushteve të kontratës, si dhe mosrespektimit të projektit, më 30 maj 2019 kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj kishte njoftuar se është shkëputur kontrata për projektin “Ndërtimi i Shtëpisë së Kulturës Ukë Bytyçi”.

Përkundër insistimit të Komunës së Suharekës, që ky projekt të realizohet, operatori ekonomik nuk ka treguar gatishmëri ti përfundoj punimet sipas kërkesave të autoritetit kontraktues dhe kontratës, thuhej në arsyetimin e kryetarit Muharremaj.

“Komuna do të ndërmerr të gjitha masat ligjore dhe do të vazhdoj me procedurat e reja për këtë projekt, në mënyrë i njejti të realizohet në afatin sa më të shpejt të mundshëm. Jam i vendosur me sinqeritetin më të madh, që ky projekt të realizohet dhe për këtë ju garantoj me angazhimin dhe vullnetin tim” kishte thënë Muharremaj.

Në ditën kur edhe kishte vendosur që ta shkëpuste kontratën, kryetari Muharremaj kishte njoftuar se Komuna e Suharekës do të ndërmerr të gjitha masaj ligjore dhe do të vazhdoj me procedura të reja për këtë projekt, në mënyrë që i njëjti të realizohet në afatin sa më të shpejtë të mundshëm.

Madje në një konferencë për media të mbajtur më datën 5 korrik 2019 Muharremaj ishte zotuar që pjesa e vrazhdë e ndërtimeve të shtëpisë së kulturës do të jetë e gatshme jo më larg se në muajin nëntor të atij viti.

Më datën 10 korrik në bazë të procedurave tenderuese N.N.SH “TOP PROJEKT” dhe Komuna e Suharekës kanë lidhur kontratë për “Ndërtimin e shtëpisë së Kulturës, Ukë Bytyçi-Faza e I-rë”. Sipas kërkesës së Komunës së Suharekës në këtë kontratë punët duhet të përfundonin jo më shumë se 90 ditë sipas dinamikës së punës.

Në mes të muajit nëntor (14 nëntor 2019) ku nga data e nënshkrimit të marrëveshjes kishin kaluar gjithsej 90 ditë pune duke përjashtuar datën 12 gusht (ditë e hëne) që ishte festë zyrtare, edhe pse kompania e kontraktuar ka vazhduar punimet edhe gjatë ditëve të fundjavës, ende nuk kishin përfunduar punimet.

Bazuar në premtimin e kryetarit Muharremaj punimet e vrazhda të Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” duhej të përfundonin jo më larg se 14 nëntor 2019 e që i bie se periudha 90 ditore e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës ishte përmbushur.

Më 25 dhjetor të vitit 2019 kishin kaluar gjithsej 118 ditë pune dhe Komuna e Suharekës ka shpërblyer me tender në vlerë prej 69.163,60 euro të njëjtën kompani për punë shtesë në Shtëpinë e Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Pas përfundimit të fazës së parë, ishin hapur procedurat tenderuese për ndërtimin e fazës së II-të.

Më 1 shtator të vitit 2020 Zyra e Prokurimit në Komunën e Suharekës kishte hapur procedurat tenderuese për fazën e II-të për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi”.

Sipas dosjes së tenderit faza e II-të e ndërtimit të Shtëpisë së Kulturës, Komunës së Suharekës parashihej ti kushtonte 2.6 milion euro dhe punimet duhej të kryheshin brenda 24 muajve duke përfshirë ato të betonimit, armirimit, muratimit dhe suvatimit, llamarinës, izolimit, qeramikës, instalimeve elektrike, instalimeve mekanike, instalimet e ujësjellësit dhe kanalizimit.

Por që nga ajo kohë procedurat tenderuese për ndërtimin e Shtëpisë së Kulturës “Ukë Bytyçi” faza II-të janë përcjellur me ankesa të operatorëve ekonomik në OSHP me ç’rast ky tender është pezulluar dhe kthyer në rivlerësim.

Rrjedhimisht që nga 1 shtatori 2020 ky tender dy herë është kthyer në rivlerësim(3 nëntor 2020 dhe 8 mars 2021) dhe një herë është pezulluar më 6 nëntor 2020.

Më 8 mars 2021 Komuna e Suharekës kishte shpallur fitues të tenderit OE ADA Consulting Group, por edhe këtë herë ky vendim i autoritetit kontraktues është përcjellur me ankesa në OSHP nga ana e operatorëve ekonomik.

Kjo kontratë ka tetë muaj që ka ngecur në OSHP, mirëpo në mungesë të bordit të gjykatës së tenderëve, afati ligjor i ankesës ka skaduar.

Andaj me zgjedhjen e bordit të ri ekziston mundësia që këto ankesa të refuzohen me arsyetimin që ka kaluar afati ligjor.

Një situatë e tillë ka ndodhur edhe më herët, më saktë gjatë periudhës korrik 2013 – mars 2014, ku për rreth 7 muaj nuk janë shqyrtuar fare ankesat në mungesë të anëtarëve të bordit të OSHP-së.

Më 27 mars 2014 bordi i ri i OSHP-së kishte refuzuar shqyrtimin e ankesave që ishin grumbulluar për këto 7 muaj me arsyen se ka kaluar afati ligjor prej 34 ditësh për të marrë vendim.

Ekziston një rrezik i madh që situata e njëjtë të përsëriten, ku operatorëve ekonomik ju mohohet e drejta për tu ankuar jo për faj të tyre.