Më 3 maj 1999, forcat policore serbe ndanë nga kolona e të dëbuarve 25 burra dhe djem të rinj shqiptarë dhe i dërguan në oborrin e shkollës së fshatit Bukosh, në Komunën e Suharekës.
Sipas dëshmive të kohës, viktimat e pafajshme u rreshtuan pranë murit të shkollës dhe u ekzekutuan mizorisht me breshëri plumbash nga forcat serbe. Familjet e tyre të shkatërruara u detyruan të vazhdojnë ecjen e dhimbshme në kolonën e të dëbuarve, duke lënë pas trupat e pajetë të më të dashurve të tyre.
Në këtë 26-vjetor të kësaj masakre barbare, Kosova përkujton me dhimbje dhe respekt të thellë 25 civilët shqiptarë të vrarë në Bukosh. Nderim i veçantë u shkon familjeve të tyre, për forcën dhe qëndresën e jashtëzakonshme që treguan përballë humbjes së madhe dhe padrejtësisë.
Kujtimi për këta martirë të pafajshëm do të jetojë përjetësisht. Sakrifica e tyre nuk do të harrohet kurrë.