22 vite nga masakra e familjes Berisha në Suharekë, kthehet në muze lokali ku u vranë ata

Para 22 viteve në Suharekë, paramilitarët serb masakruan rreth 50 anëtarë të familjes Berisha, duke lënë të mbijetuar vetëm Gramoz Berishën i cili atëherë ishte vetëm 8 vjeçar, të ëmën e tij, Vjollca Berisha dhe gruan e axhës, Shyhrete Berisha.

Më 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO filloi bombardimet kundër forcave serbe, u shënua dita më e tmerrshme e mundshme për familjarët të cilët vdiqën nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda një lokali të braktisur. Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat e tyre në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit. Gramozi, nëna e tij, dhe familjarja tjetër, arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.

Historinë e familjes Berisha e keni dëgjuar dhe lexuar shumë herë, por kujtimi dhe emocionet e familjarëve të ngushtë mbeten po të njëjta si ajo ditë e zezë. Ditën e sulmit, forcat serbe vranë gjithsej 52 anëtarë të familjes Berisha ku 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, e në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina e cila ishte vetëm 16 vjet.

Andaj edhe sot, Gramoz Berisha, përmes një postimi në facebook, ka dhënë lajmin që lokali ku janë vrarë familjarët e tij do të kthehet në muze, duke ruajtur kështu të gjallë kujtimin për ta.

Në këtë 22 vjetor të rënë për familjarët por edhe për Kosovën, hapja e lokalit muze do të bëhet në ora 09:40, ndërsa tutje në ora 10:00, do të vazhdohet për homazhe tek Kompleksi Memorial.

Ky përkujtim do të zhvillohet gjithmonë duke pasur parasysh masat anti-COVID.

Kujtojmë se para dy vitesh direkt nga lokali ku ishin vrarë anëtarët e familjes Berisha drejtori i Fondacionit “Golden Eagle”, Shaqir Palushi kishte thënë se vendi në të cilin ishte kryer krimi mendohej të ruhej ashtu siç është ruajtur deri më tani, në mënyrë që faktet e genocidit serb mbi popullatën civile në Kosovë të mbeten të freskëta për drejtësinë. Por jo?!

Fondacioni Golden Eagle me pronarin ka vendosur që ta kthejë në një qendër memoriale vendin ku ndodhi masakra e tmerrshme e familjes Berisha në Suharekë.

RAPORTO