1999 – shpërngulja nga Bellanica, dëshmia e gazetarit Shefqet Zogaj dhe Hamide Fondaj

21.03.2022

Prokuroria dhe Mbrojtja paraqitën një numër dëshmitarësh për të folur për krimet konkrete që janë kryer në Komunën e Suharekës dhe për situatën që mbretëronte në vitin 1998 dhe 1999. Gjatë përpilimit të konkluzioneve përfundimtare në lidhje me akuzat për vrasje dhe shpërngulje në qytetin e Suharekës, dhoma është bazuar edhe në dëshmitë e dhëna […]

1999 – shpërngulja nga Bellanica, dëshmia e gazetarit Shefqet Zogaj dhe Hamide Fondaj Foto: Ilustrim

Prokuroria dhe Mbrojtja paraqitën një numër dëshmitarësh për të folur për krimet konkrete që janë kryer në Komunën e Suharekës dhe për situatën që mbretëronte në vitin 1998 dhe 1999.

Gjatë përpilimit të konkluzioneve përfundimtare në lidhje me akuzat për vrasje dhe shpërngulje në qytetin e Suharekës, dhoma është bazuar edhe në dëshmitë e dhëna nga dy dëshmitarë, Shefqet Zogaj -gazetar nga Bellanica dhe Hamide Fondaj-amvise nga Peqani.

Që të dy dëshmuan se më 20 ose 21 mars “forcat serbe” sulmuan Peqanin dhe fshatrat e afërta. Sulmi erdhi nga lindja, nga drejtimi i qytetit të Suharekës, Shirokës, Qafës së Duhlës, dhe Biraçit. Si pasojë, popullata filloi të lëvizte masivisht në drejtim të fshatrave në veri, si Nishori, Bellanica, dhe Baja. Sidoqoftë, të dy pranuan se zona e sulmuar, ishte nën kontrollin e UÇK-së. Për shembull, thuajse të gjitha shtëpitë në Peqan kishin nga një anëtar në UÇK, duke përfshirë edhe familjen e Fondajt, burri i së cilës ishte komandant në UÇK.

Gjatë fazës së pyetjeve të këtyre dëshmitarëve nga Mbrojtja, doli në pah se burri i Fondajt urdhëroi popullatën të largohej nga fshati dhe se disa ditë më vonë, më 28 mars, UÇK-ja u tërhoq në Bellanicë për shkak të luftimeve me forcat e RFJ-së/Serbisë.1382 Vladimir Marinkoviqi, i cili ishte shef i organit të sigurimit të Brigadës së 15-të Blinduar, konfirmoi se në fund të marsit 1999 brigada e tij hasi afërsisht 1.000 njerëz të shpërngulur duke u larguar nga Baja të shoqëruar nga pjesëtarë të armatosur të UÇK-së me uniforma. Kur njësia raportoi çfarë kishte parë, ajo mori urdhër të kthehej në zonën e dislokimit pa hyrë në luftim me UÇK-në.

Më 28 mars, Fondaj dhe familja e saj arritën në Bellanicë dhe panë se atje ishin mbledhur “mijëra e mijëra njerëz”.1384 Zogaj dëshmoi se në tri fshatrat, Bellanicë, Ngucat, dhe Lladroviq, ishin mbledhur gjithsej rreth 100.000 njerëz. Kur Zogaj u ballafaqua me dëshminë e Halit Berishës se e gjithë popullata e Suharekës ishte 60.000 dhe se ishte e pamundshme të mblidhen 100.000 njerëz në tri fshatra, vetëm në rast se e gjithë popullata e Suharekës dhe Malishevës do të mblidheshin atje, ai u përgjigj se vlerësimi i tij ishte i saktë.

Siç u diskutua më lart në lidhje me komunat e Prizrenit dhe Rahovecit, më 28 mars 1999, Komanda e Përbashkët urdhëroi njësitë e Korpusit të Prishtinës që të ndihmonin forcat e MPB-së në shkatërrimin e “FTSH-së” në zonën e përgjithshme të Malishevës. Sipas këtij urdhri, përgjegjësia për komunën e Suharekës ishte ndarë midis Brigadës së 243-të të Mekanizuar dhe Brigadës së 549-të të Motorizuar.

Po atë ditë, Komanda e Korpusit të Prishtinës lëshoi një urdhër ku i udhëzonte forcat, duke përfshirë edhe Brigadën e 549-të të Motorizuar, që të përgatiteshin për operacione në “zonën e përgjithshme” të Malishevës. Si rrjedhojë, më 29 mars Deliqi lëshoi urdhrin përkatës për njësitë e tij që të ndihmonin forcat e MPB-së në zonën e Rahovecit dhe në afërsi të fshatit Dobërdolan. Ky urdhër gjithashtu theksonte se njësi të tjera, si Brigada e 243-të e Mekanizuar, do të mbështesnin njësitë e MPB-së në zonën e Suharekës, duke përfshirë fshatrat Duhël, Bellanicë, Semetishtë, dhe Bajë, që gjenden në pjesën veriore të komunës.

Operacioni do të fillonte më 30 mars. Në orët e hershme të mëngjesit më 1 prill 1999, vija e frontit e UÇK-së u thye nga forcat e përbashkëta të RFJ-së. Pas kësaj, Bislim Zyrapi lëshoi një urdhër që disa brigada të UÇK-së të tërhiqeshin më në veriperëndim nëpër Bellanicë dhe në malet e Berishës, të cilat gjenden mbi fshat. Zyrapi gjithashtu urdhëroi evakuimin e popullatës civile nga Bellanica në Ngucat dhe në malet e Berishës për shkaqe sigurie. Sidoqoftë, shumica e popullatës nuk iu bindën urdhrit dhe vendosën të qëndronin në Bellanicë. Kur u pyet nga Dhoma pse ishte më e sigurtë për popullatën që të largohej bashkë me UÇK-në se sa të lihej vetëm, Zyrapi u përgjigj se UÇK-ja donte ta largonte popullatën nga vija e frontit dhe tha se ishte procedurë e zakonshme e UÇK-së.

Më 1 prill 1999 rreth orës 11:45, forcat e RFJ-së/Serbisë filluan të granatonin skajet e Bellanicës. Rreth orës 13:00, policia dhe paraushtarakët, të dytët kishin shirita, shami, dhe mjekra, hynë në Bellanicë ndërsa UJ-ja e rrethoi. Zogaj shkoi shtëpi më shtëpi duke u thënë njerëzve të hipnin në makina dhe traktorë dhe të niseshin. Sidoqoftë, sipas Zogajt, “forcat serbe” hynë në Bellanicë dhe filluan të digjnin shtëpitë, të vrisnin bagëtinë, dhe të shtinin drejt njerëzve që po largoheshin. Mbrojtja i sugjeroi Zogajt se jo forcat serbe, po ai u kishte thënë njerëzve të largoheshin, në zbatim të urdhrit të Bislim Zyrapit të përmendur më lart. Zogaj e mohoi këtë pretendim.Duke lëvizur ngadalë me kolonën që ishte formuar, Zogaj u keqtrajtua nga “policë” të ndryshëm dhe iu morën paratë. Pjesëtarët të “policisë” i provokuan shqiptarët kosovarë në kolonë, duke iu thënë “shkoni te babë Klintoni” dhe “shkoni në Shqipëri.”

Edhe pse e drejtuan kolonën në dy drejtime të ndryshme, konkretisht, në perëndim në drejtim të Malishevës dhe Rahovecit, dhe në jug në drejtim të Bllacës dhe Suharekës, në fund të dy grupet kaluan nëpër Prizren. Zogaj shkoi në drejtimin Bllacë-Suharekë dhe, duke dalë nga Bellanica, pa trupa dhe tanke me armët e drejtuara nga fshati. Kur pjesa e kolonës në të cilën ishte Zogaj mbërriti në Lubizhdë afër qytetit të Prizrenit, ata u provokuan përsëri nga serbë me uniforma të rregullta të policisë dhe ushtrisë, të cilët u thanë “shkoni te NATO-ja,” “shkoni në Shqipëri,” “Kosova ka qenë dhe do të jetë tokë serbe,” dhe gjëra të ngjashme. Disa nga këta njerëz kishin uniforma dhe maska të zeza dhe mbanin thika në brez.

Në kalimin kufitar në Morinë, policia serbe u konfiskoi Zogajt dhe familjes së tij targat e kamionit dhe letërnjoftimet, pasaportat, dhe patentat e shoferit e tij. Zogaj dhe familja e tij e kaluan kufirin më 2 prill 1999, në orën 17:00. “Policët kufitarë serbë” u thanë se nuk do ta shihnin më Kosovën. Zogaj u kthye në Bellanicë më 21 qershor 1999, dhe e gjeti 70 për qind të fshatit të djegur, përfshirë edhe shtëpinë e tij.

Hamide Fondaj e përshkroi largimin e saj nga Bellanica në mënyrë përgjithësisht të ngjashme. Më 1 prill ndërsa ishte në qendër të fshatit me familjen e saj dhe shumë të tjerë, u përhap fjala se të gjithë duhej të hipnin në traktorë. Disa burra të veshur me rroba të zeza dhe me maska të zeza shkuan traktor më traktor duke rrëmbyer para. Atë natë rreth orës 02:00 ose 03:00, Fondaj pa zjarre të shkaktuara nga bombat e NATO-s që godisnin objektiva në zonat përreth. Të nesërmen në mëngjes, në fshat erdhën “policë” me uniforma të ndryshme dhe me fytyra të ngjyrosura dhe shami në kokë. Ata shkuan traktor më traktor duke kërkuar para. Rreth 20 prej tyre me maska iu afruan traktorit të Fondajt dhe kërkuan para nga ajo dhe dy pleqtë në traktor. Edhe pse të gjithë u dhanë para, ata prapëseprapë i rrahën pleqtë.  Pas pak, njerëzit në traktorë filluar të largoheshin nga Bellanica në drejtim të qytetit të Suharekës. Ata u ndaluan afërsisht 10 herë dhe vazhdimisht iu kërkonin para. Duke u larguar nga fshati, Fondaj pa ushtarë të UJ-së duke ia bërë kolonës me dorë në shenjë lamtumire. Në një postbllok, UJ-ja i urdhëroi që të mos shkonin në qytetin e Suharekës, por në drejtim të kundërt, për në Malishevë dhe Rahovec. Jashtë Astrazupit, ata u ndaluan në një postbllok të UJ-së ku një ushtar i kërkoi Fondajt 100 marka gjermane. Pasi ia dha paratë, ata u lejuan të vazhdonin me kolonën. Fondaj pa “ushtarë,” moshën e të cilëve nuk mund ta përcaktonte dhe emblemat e të cilëve nuk mundi t’i shihte, që hynë në Astrazup dhe u vunë zjarrin shtëpive me flakëhedhës. Ajo gjithashtu dëshmoi se në një moment “ushtarët serbë” ua hoqën plisat burrave shqiptarë kosovarë në kolonë dhe i hodhën përtokë. Pastaj burrat u detyruan t’i shkelnin me makina. Kolona shkoi në Malishevë, pastaj u kthye në Rahovec, e më pas në Prizren. Para se të arrinte në fshatin Zhur, kolona u ndalua për rreth shtatë ose tetë orë. Fondaj tha se gjatë rrugës për në kufi, ajo pa shpesh forca ushtarake. Më në fund kolona arriti në kufi dhe e kaloi kufirin më 4 prill 1999, në orën 02:00. Sipas Fondajt, policia kufitare u tha se duhej të largoheshin për shkak të Ibrahim Rugovës dhe NATO-s. Kolona nuk u kontrollua dhe u lejua të kalonte. Një polic u tha se i vinte keq. Në pritje të kalimit në Shqipëri, ajo pa kolonën tjetër që hyri në Shqipëri dhe vuri re se njerëzit në të ishin rrahur dhe u ishin marrë të gjitha dokumentet e identifikimit.

Një raport i Bozhidar Deliqit dërguar Komandës së Korpusit të Prishtinës e mbështet pjesërisht këtë rrëfim të lëvizjes së popullatës më 3 prill 1999 sa i përket zonës së tij të përgjegjësisë. Ai theksoi se me fillimin e fushatës së NATO-s, gjendja u keqësua me shpejtësi. Përveç luftimeve me Brigadën e 124-t të UÇK-së në zonën Rahovec-Suharekë, gjithashtu doli edhe problemi i “refugjatëve” të shumtë. Sipas Deliqit, “dyndja e refugjatëve, sidomos në këtë numër, erdhi si befasi.”

Më tej ai përmendi disa arsye për lëvizjen e tyre, përfshirë frikën se mos gjendeshin në mes dy zjarreve, frikën nga rekrutimi në UÇK, frikën nga forcat e UJ-së/MPB-s dhe “trupave të Arkanit,” dhe frikën nga bombardimet e NATO-s.

Deliqi gjithashtu tha se autoritetet vendore i kishin shprehur mendimin e tyre për numrin e madh të refugjatëve, që ishte skenar i parapërgatitur i “katastrofës humanitare,” dhe largimi bëhej për të mundësuar që NATO-ja të bombardonte lirisht dhe pa dallime.

Ai gjithashtu përmendi se pjesëtarët e kompanisë së 5-të të PJP-së dhe ushtarët e Brigadës së 15-të të Blinduar “u bashkuan në fshatin Bellanicë, ku evakuuan dhe u kujdesën afërsisht për 3.,000 refugjatë.” Millosh Vojnoviqi, i cili ishte shef i SPB-së së Prizrenit në atë kohë, mohoi se kishte dijeni që PJP ishte kujdesur për “refugjatë” në Bellanicë dhe dëshmoi se kujdesi për civilët e shpërngulur ishte “çështje me të cilën merrej policia e rregullt.”

Sidoqoftë, ai gjithashtu dëshmoi se kishte parë “mijëra refugjatë” në rrugën Suharekë-Prizren. Gjeneral Kërsman Jelliqi, i cili ishte komandant i Brigadës së 243-të të Mekanizuar e vendosur në Duhël në atë kohë, gjithashtu iu referua dëshmive të Hamide Fondajt dhe Shefqet Zogajt gjatë dëshmisë së tij. Jelliqi dëshmoi se forcat e tij nuk e granatuan asnjëherë Bellanicën dhe nuk i detyruan civilët të largoheshin në drejtim të Shqipërisë nëpër rrugën e Suharekës. Ai sqaroi se kjo do të thoshte se njerëzit do të detyroheshin të lëviznin në drejtim të forcave të UJ-së e jo në drejtim të kundërt prej tyre, që do të ishte absurde. Jelliqi pranoi se në bazë të një urdhri të 28 marsit 1999 në atë zonë u krye një operacion për të eliminuar bllokimin prej UÇK-së të rrugës që lidh Suharekën me Malishevën dhe që kalon nëpër Bellanicë. Sipas Jelliqit, kjo zonë ishte bastion e UÇK-së dhe njësitë e tij nuk mundën të arrinin në Bellanicë.