16 shtatzëna punëtore të arsimit në Suharekë, në pritje të vendimit për zëvendësim nga studentët e edukimit

26.04.2021

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentët e Fakultetit të Edukimit do t’i zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna në tërë Kosovën. Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila ka treguar se janë 400 mësimdhënëse shtatzëna të cilat do […]

16 shtatzëna punëtore të arsimit në Suharekë, në pritje të vendimit për zëvendësim nga studentët e edukimit Foto: Ilustrim

Pas vendimit të Qeverisë së Kosovës që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentët e Fakultetit të Edukimit do t’i zëvendësojnë mësimdhënëset shtatzëna në tërë Kosovën.

Kështu ka bërë të ditur ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci e cila ka treguar se janë 400 mësimdhënëse shtatzëna të cilat do të zëvëndesohen.

“Në zbatim të vendimit të Qeverisë që gratë shtatzëna të lirohen nga puna me prezencë fizike, studentë të nivelit master dhe apsolventë do të angazhohen në Arsimin Parauniversitar në mbështetje  të rreth 400 mësimdhënëseve shtatzëna, numër ky i raportuar nga Drejtoritë Komunale të Arsimit”, ka shkruar Nagavci në facebook.

Sipas njoftimit të ministres, listat me studentët që do të zhvillojnë procesin mësimor u janë përcjellë DKA-ve.

“Të dhënat me listat e studentëve tashmë janë përcjellur në DKA, bashkë me informatën për këtë mbështetje profesionale në mbulimin e lëndëve të ndryshme mësimore, aty ku paraqitet nevoja”, ka thënë ajo.

Tutje ministrja Nagavci ka thënë se ky angazhim studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale.

Ditë më parë, drejtori i Arsimit në Suharekë, Remzi Bajselmani në një prononcim për SuharekaOnline kishte treguar se dikasteri që ai drejton në bazë të kërkesës së MASHTI-it ka përpiluar dhe dërguar në MASHTI listën me emrat e 16 të punësuarve në arsim të cilat janë shtatzëna e që pritet të zëvendësohen.

Ndërsa, lidhur me zëvëndësimin e tyre gjatë ditës së sotme, e hënë, SuharekaOnline ka kontaktuar me Bajselmanin, për të mësuar se deri ku ka arritur ky proces në Komunën e Suharekës.

Drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani e ka konfimuar se nga MASHTI-i kanë pranuar listën me emrat e studentëve të cilët pritet që të zëvëndësojnë të punësuarat shtatzëna në arsim, duke shtuar se ende nuk ka një vendim konkret nga kjo ministri.

Ai ka thënë se të punësuarat shtatzëna në shkollat e Komunës së Suharekës janë duke e vazhduar punën në mënyrë fizike dhe se të njëjtat kanë deklaruar që janë në gjendje të punojnë.

Bajselmani ka bërë të ditur se ky angazhim i studentëve do t’u njihet si praktikë profesionale dhe njëkohësisht puna e tyre do të realizohet në koordinim me mësimdhënëset përkatëse (shtatzënë) që eventualisht do të shfrytëzojnë të drejtën e lirimit nga prezenca e tyre fizike në shkollë.

Poashtu, ai ka bërë të ditur se situata me pandeminë COVID-19 në shkollat e komunës është e menaxhueshme, duke shtuar se aktualisht nuk asnjë nxënës apo mësimdhënës ti infektuar me COVID-19.

Ndër tjerash, Drejtori i DKA-Suharekë, Remzi Bajselmani ka përsëritur thirrjen për të gjithë nxënësit, mësimdhënësit e prindërit që të respektojnë masat mbrojtëse dhe rekomandimet e institucioneve përkatëse, në mënyrë që të ruhet shëndeti i të gjithëve dhe mësimi të vazhdojë në shkolla.