10 ditët e para të muajit shkurt, çfarë ndodhi në Suharekë

10.02.2021

Si çdo muaj tjetër edhe muaji i dytë i vitit 2021 në Komunën e Suharekës ka filluar me ngjarje nga më të ndryshmet, duke e veçuar nga muaji i kaluar. SuharekaOnline ka përmbledhur disa nga ngjarjet e këtyre 10 ditëve të para të muajit shkurt, duke filluar nga ngjarejt nga policia, arsimi, politika, shëndetësia e […]

10 ditët e para të muajit shkurt, çfarë ndodhi në Suharekë Foto: Herolind Bytyçi / HALLKA

Si çdo muaj tjetër edhe muaji i dytë i vitit 2021 në Komunën e Suharekës ka filluar me ngjarje nga më të ndryshmet, duke e veçuar nga muaji i kaluar.

SuharekaOnline ka përmbledhur disa nga ngjarjet e këtyre 10 ditëve të para të muajit shkurt, duke filluar nga ngjarejt nga policia, arsimi, politika, shëndetësia e deri tek sporti.

Shkurti kishte filluar me një rast të rrahjes mes 4 personave, ku nga Policia e Kosovës ishte bërë e ditur se deri te rrahja kishte ardhur pas një mosmarrëveshje në mes të katër personave. Sipas burimeve brenda policisë ishte bërë e ditur se nga rrahja dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marr ndihmë mjekësore në spitalin e Prizrenit.

Gjithashtu, Policia e Kosovës në Suharekë me të filluar muaji kishte mbyllur një kafiteri e cila kishte punuar pas orës 22:00.

SuharekaOnline kishte mësuar se deri te arsyeja e mbylljes ka ardhur si pasojë e  mos respektimit të vendimeve të Qeverisë, mbajtja e lokalit hapur pas orarit të caktuar dhe të inicimit të rastit po me datë 31 Janar 2021 rreth orës 03:30 si “Lëndim trupor” për të cilin është bërë e ditur se rrahja kishte ardhur pas një mosmarrëveshje në mes të katër personave. Sipas burimeve brenda policisë thuhet se nga rrahja dy persona kanë pësuar lëndime trupore dhe kanë marr ndihmë mjekësore në spitalin e Prizrenit.

E me datë 02 shkurt Policia e Suharekës kishte arrestuar dy persona të dyshuar për vepra të ndryshme penale, njëri nga të dyshuarit ishte arrestuar pasi që i njejti më 22 janar kishte vjedhur një palë dyer të metalit dhe shufra metali në vlerë prej 50 eurosh, ndërsa i dyshuari tjetër ishte arrestuar pasi që një femër me të cilën ai bashkëjetonte kishte raportuar në polici se i njejti e kishte sulmuar fiziksht.

Nga Policia e Suharekës është raportuar edhe një tjetër ngjarje të cilën jo shpesh e kemi dëgjuar në Komunën e Suharekës, bëhet fjalë për rastin e një të miture e cila është dhunuar në fshatin Budakovë.

Rastin e kishte konfirmuar për SuharekaOnline zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaban Osmanollaj.

“Më datë 02.02.2021 rreth orës 06:00 në Stacionin Policor Suharekë është paraqitur viktima me prindin e saj dhe deklarojnë se përderisa e mitura ishte e vetme në shtëpi, dyshohet se është dhunuar seksualisht nga një person i dyshuar. Për rastin është informuar prokurori i krimeve të rënda si dhe është njoftuar njësia e hetime e rajonale dhe janë duke proceduar me rastin”, ka thënë Osmanollaj për SuharekaOnline.

E lidhur me këtë rast SuharekaOnline kishte mësuar se Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj N.K i cili dyshohet për dhunimin e të miturës.

Gjithashtu, këto 10 ditë ishin jo të lehta edhe për shëndetësinë në Komunën e Suharekës e cila përveç se po përballet me sitautën e krijuar nga pandemia me COVID-19, ata ishin përballur edhe me mugesën e insulinave, gjë e cila ka detyruar shumë qytetarë që të trokasin dyerve të barnatoreve të qytetit për ti blerë ato.

Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare nuk ishte furnizuar me insulinë që nga fillimi i dhjetorit 2020, ani pse kishin bërë kërkesa urgjente në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndërsa me datë 2 shkurt, QKMF-ja e Suharekës ishte furnizuar me 1675 insulina të cilat u janë shpërndarë 478 qytetarëve të cilët kanë nevojë për to.

Ndërsa me datë 4 shkurt Drejtoria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociaale në Suharekë kishte njoftuar se ka punësuar dy doktor, dr. Jetmir Sopa, Sahare Përzhaku dhe ka punësuar një teknik të radiologjisë.

E sa i përketë situatës me pandeminë COVID-19, Komuna e Suharekës është në një situatë jo të mirë, pasi që me 5 shkurt zyrtarisht kishte kaluar nga zona e verdhë në atë të kuqen, zonë kjo e cila konsiderohet me rrezikshëmri të lartë të përhapjës së infeksionit.

E aktivitetet politike këto 10 ditët e shkurtit kanë qenë të shumta, pasi që me 03 shkurt kishte filluar zyrtarisht fushata zgjedhore. Fushata do të zgjasë vetëm 10 ditë për shkak që këto zgjedhje janë të parakohshme.

Gjatë kësaj fushate zgjedhore Komunën e Suharekës e kanë vizituar kandidatët për postin e kryeministrit, Albin Kurti nga LVV e Enver Hoxhaj nga PDK si dhe kandidatë nga parti të tjera.

Në zgjedhjet e përgjithshme të parakohshme të 14 shkurit garojnë 21 parti politike, dy koalicione parazgjedhore dhe pesë nisma qytetare. 1,794,826 qytetarë të Kosovës kanë të drejtë vote.

Ndërsa, sot me 10 shkurt, në Komunën e Suharekës janë hapur edhe dy çerdhe të reja për fëmijë, një në fshatin Sopijë dhe tjetra në fshatin Gjinoc, i pari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj, i shoqëruar nga nënkryetarja e komunës, Mihrije Suka dhe Drejtori i Arsimit në Komunën e Suharekës, Remzi Bajselmani me rastin e inagurimit të këtyre dy çerdheve kishte thënë se projekte të tilla do të realizohen edhe në të ardhmen.

E krejt në fund artikullin e përmbyllim me një lajm nga sporti, me datë 07 shkurt në Suharekë është mbajtur finalja për Kupën e Kosovës në basketboll e cila është zhvilluar mes Golden Eagle Yllit dhe Sigal Prishtinës, e që këtë kupë e kishte fituar Sigal Prishtina duke mundur Golden Eagle Yllin me shifrat 76:82 (16:27, 19:14, 27:23, 14:18).