1.5 milionë euro investim, “Damper” do të bëhet me një autoservis modern për automjete ushtarake
Një projekt ambicioz po ecën drejt realizimit në komunën e Suharekës, i cili do të transformojë një pjesë të kazermës së FSK-së në Shirokë, ish Damperit, në një qendër moderne për servisimin e automjeteve ushtarake.
Projekti, i cili mban titullin “Ndërtimi i autoservisit për automjete taktike”, ka për qëllim të krijojë një infrastrukturë të specializuar për mirëmbajtjen dhe rregullimin e automjeteve të rënda ushtarake.
Objekti i planifikuar do të jetë i ndarë në dy pjesë kryesore. Pjesa e parë do të përmbajë linjat e prodhimit për mirëmbajtje të ndryshme, punë metalike, si dhe një zonë për ngjyrosje me furrën për tharje. Pjesa e dytë do të shërbejë si depo për pajisje dhe materiale, si dhe për zyrat administrative. Të dyja këto pjesë do të jenë të ndara nga njëra-tjetra për shkak të veçorive të tyre funksionale, shkruan SuharekaOnline.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka treguar një angazhim të fortë për realizimin e këtij projekti. Fillimisht, është alokuar një buxhet prej 1.7 milionë euro për dy vjet, nga 2024 deri në 2025. Pas një procesi tenderues të konkurruar, ku kanë marrë pjesë 12 operatorë ekonomikë, kontrata për realizimin e projektit është dhënë për kompaninë “Engineering SHPK” me një vlerë prej 1,448,873.00 euro.