Për herë të parë në Kosovë do të organizohet Kampionati Evropian i xhudos, si ngjarja më e madhe sportive në vend.

Evropiani i xhudos “Prishtina 2023” do të fillojë më 16 dhjetor të këtij viti, dhe do të organizohet në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë.

Afro 50 shtete do të jenë pjesëmarrëse në këtë garë me mbi 100 xhudistë e xhudiste elitare. Ndërkaq, tani është zbuluar edhe çmimi i madh për të cilin do të garojnë këta xhudistë.

Bëhet e ditur se në të gjitha kategoritë çmimi i madh do të jetë prej 300,000 eurove.

Kampionati Evropian i xhudos “Prishtina 2023” organizohet në kuadër të programit shtetëror, “Kosova, shtet i xhudos”, nga Federata e Xhudos e Kosovës nën mbështetjen e Ministrisë së Rinisë, Kulturës e Sportit (MKRS) dhe Federatës Evropiane të Xhudos.