Sezoni i Werder Bremenit deri tani ka qenë tërësisht zhgënjyes, duke qenë se skuadra gjendet në luftë për mbijetesë në Bundesligë, atëherë kur të gjithë mendonin se do të bënte hapin cilësor për të luftuar për Evropën.

E vetmja gjë që ka rënë në sy deri tani është paraqitja e Milot Rashicës, i cili me 7 gola e 3 asistimee është kthyer në lojtarin më të rëndësishëm të klubit të Bundesligës.

Ndaj edhe trajneri Florian Kohfledt e di mirë që shumë nga shanset e skuadrës së tij për të dalë nga kjo situatë, varen nga paraqitjet e Rashicës.

Por, fakti se sulmuesi i Kosovës është kthyer në një armë të jashtëzakonshme ofensive, ka shtuar ndjeshëm edhe vëmendjen e kundërshtarëve ndaj tij, e për këtë arsye Werderit do t’i duhet të ndryshojë mënyrën se si luan për t’i dhënë mundësinë të shprehet në maksimum, raporton insporti.com

“Kundërshtarët tani i kushtojnë më shumë vëmendje Milotit. Ne duhet ta mbrojmë atë, që t’i japim më shumë hapësira”, tha trajneri gjerman.

“Çështja është që ta vendosim të luajë në pozicione të ndryshme. Në pjesën e parë të sezonit ishim shumë të varur pas Rashicës. Por duhet të jemi më pak të parashikueshëm në pjesën e dytë të sezonit. Miloti është përmirësuar ndjeshëm në lojën me kombinime”, tha ai, duke lënë të kuptohet se në të ardhmen ai mund të rreshtohej edhe pas dy sulmuesve.