09.09.2019, 18:11

Trajneri i Anglisë: Sfida me Kosovën njëra prej më të vështirave

Nesër Kombëtarja e Kosovës do të përballet me Kombëtaren e Anglisë në St. Mary’s Stadium duke filluar nga ora 20:45, ku trajneri i Anglisë e ka vlersuar lartë Kosovën para përballjes mes tyre.

Trajneri i Anglisë, Gareth Southgate beson se “Tre Luanët” e tij i pret një sfidë mjaftë e vështirë, e cila kjo ndeshje është shumë e rëndësishme për kualifikimet e Euro2020.

Southgate mendon se Kosova është rivali më i afërt i tyre dhe kryesor i Anglisë në rrugën drejt Euro2020.

“Tre Luanët” i kanë shënuar tri fitore në tri ndeshjet e para, ndërsa së fundmi e mposhtën Bullgarinë 4:0 të shtunën që shkoi.

Tani, trajneri anglez insiston se ekipin anglez e pret ndeshje më e vështirë në stadiumin “St. Mary’s” të Southamptonit.

“Pres që kjo ndeshje të jetë njëra prej më të vështirave me të cilat jemi përballur në këtë kampanjë”, ka thënë Southgate.

LEXO EDHE:  Një tjetër klub i madh anglez e do yllin e Kosovës, Vedat Muriqin

“Kosova e mposhti Republikën Çeke në fundjavë dhe besoj se kjo skuadër është sfiduesi ynë më i afërt në këtë grup, më shumë se secili ekip tjetër”, vazhdoi ai.

“Do të përballemi me një ekip mjaft të mirë, i cili ka disa lojtarë të shquar individualisht, të cilët po luajnë në disa prej ligave më të forta në Evropë. Natyrisht, ata kanë edhe krenari të jashtëzakonshme për të luajtur për vendin e tyre të ri”, nënvizoi Southgate, transmeton reporteri.

“Ata më kanë impresionuar vërtet me ndeshjet e tyre në këto kualifikime, e po ashtu më kanë pëlqyer shumë edhe në Ligën e Kombeve, e cila ua dha atyre vetëbesimin”, shton ai.

Ndeshja ndërmjet Anglisë dhe Kosovës, e vlefshme për Grupin A, do të zhvillohet të martën mbrëma duke filluar nga ora 20:45.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.