Pas eliminimit në raundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve, skuadra e Feronikelit garat europiane do t’i vazhdojë në Ligën e Europës.

Kampioni i Kosovës do të takohet në rrethin e dytë të Ligës së Europës me kampionin e Sllovakisë, Slovan Bratislava.

Feronikeli nuk pritet të këtë pritje të ngrohtë në Sllovaki, pasi që tifozët e Bratislavës njihen për miqësinë me tifozët serb, teksa muaj më parë kanë dalur edhe haptazi kundër shtetit të Kosovës.

Lidhur me këto thirrje kundër Kosovës, përfaqësuesit e UEFA’s kanë paralajmëruar klubin sllovak.

“Përfaqësuesit e UEFA’s na kanë bërë shumë të qartë se për çdo fjalim politik do të ndëshkohemi në dëm të klubit tonë dhe tifozëve tanë. Në praktikë kjo do të thotë se në qoftë se një situatë e tillë lind, pavarësisht nga thirrja jonë dhe lutja, klubi mund të marrë jo vetëm një dënim të lartë financiar, por edhe një ndëshkim shumë më të dhimbshëm në formën e mbylljes së stadiumit të tërë për ndeshjen e ardhshme europiane” – kanë bërë të ditur vet klubi sllovak.

Ndryshe, ndeshja e parë do të zhvillohet në Bratisllavë më 24 korrik, në orën 18:00, ndërsa ajo e kthimit do të zhvillohet pas një jave, saktësisht më 30 korrik prej orës 18:00 në Stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në Prishtinë.