Sylvinho dhe Gjimshiti optimistë para duelit me Serbinë: “Hymë në fushë për 3 pikët”
Trajneri i Kombëtares Shqiptare, Sylvinho, dhe kapiteni Berat Gjimshiti, kanë folur sot në një konferencë për shtyp para ndeshjes së rëndësishme kundër Serbisë, që do të luhet të shtunën në ‘Arenën Kombëtare’ në kuadër të kualifikueseve për Botërorin 2026.
Të dy shprehën optimizëm dhe theksuan rëndësinë e fitores.
Fjalët e trajnerit Sylvinho
Sylvinho e vlerësoi Serbinë si një ekip të fortë, por nuk ngurroi të shprehte krenarinë për lojtarët e tij. “Serbia është ekip i fortë, por edhe ne kemi lojtarë shumë të mirë si Broja, Uzuni, Manaj, Bajrami për të cilët jam shumë krenar,” tha trajneri brazilian.
Ai shpreson për një ndeshje të bukur dhe theksoi se çdo trajner e përgatit ekipin për fitore. “Në 90 minuta mund të ndodhë çdo gjë. Futemi në fushë për 3 pikët,” u shpreh Sylvinho. Ai gjithashtu la të kuptohet se formacioni do të jetë ndryshe nga ndeshja e kaluar me Andorrën.
Deklarata e kapitenit Gjimshiti
Kapiteni Berat Gjimshiti theksoi fokusin e ekipit vetëm te ndeshja. “Fokusi është vetëm te ndeshja dhe të marrim 3 pikët. Japim gjithçka në fushë,” deklaroi Gjimshiti.
Ai shtoi se skuadra është përgatitur shumë mirë për këtë ndeshje, duke pasur kohë të mjaftueshme në dispozicion. “I gjithë ekipi i Serbisë ka lojtarë të fortë,” theksoi mbrojtësi.
I pyetur për jetën private dhe faktin që bashkëshortja e tij është nga Serbia, Gjimshiti u përgjigj shkurt dhe qartë: “Nuk jam këtu për të folur për jetën private, por për futboll.”
Ndeshja Shqipëri-Serbi, e cila pritet të ngjallë emocione të mëdha, luhet nesër në orën 20:45.