Dy ndeshje do të luhen të martën, dy të mërkurën dhe një të enjten, duke ofruar një spektakël të vërtetë për të gjithë adhuruesit e futbollit.

Drita dhe Ballkani, përballja e titanëve në Gjilan

Pa dyshim, dueli kryesor i kësaj xhiroje dhe ndeshja që mund të ndikojë ndjeshëm në garën për titull, do të jetë ajo mes Dritës dhe Ballkanit. Dy kandidatët kryesorë për titull të kampionit do të përballen mes vete në Gjilan, në një ndeshje që pritet të jetë e zjarrtë dhe plot tension.

Liderja e tabelës, Drita, vjen në këtë ndeshje pas një humbjeje të papritur në Podujevë nga Llapi, ndërsa kampionët aktualë, Ballkani, vijnë pas një barazimi me Prishtinën.

Aktualisht, Drita kryeson tabelën me 10 pikë avantazh ndaj Ballkanit. Një fitore eventuale do t’ua siguronte atyre një shkëputje thuajse të paarritshme prej 13 pikësh, duke i afruar ndjeshëm drejt titullit të kampionit.

Nga ana tjetër, Ballkani e ka këtë lojë si “jetë a vdekje”. Për t’i mbajtur ende gjallë shpresat për titullin e katërt radhazi, ekipi nga Suhareka duhet të fitojë patjetër. As barazimi nuk u leverdis atyre, pasi do të mbetej në fuqi distanca prej 10 pikësh disavantazh ndaj lideres nga Gjilani.

Ndeshje të tjera interesante

Llapi, pas fitores së madhe ndaj Dritës, do ta kërkojë fitoren e dytë radhazi, duke e vizituar Ferizajn. Ferizajasit, të cilët mposhtën Suharekën në xhiron e fundit, do të tentojnë të vazhdojnë formën e mirë.

Malisheva do ta kërkojë këndelljen në duelin me Gjilanin, pas humbjes nga Dukagjini, ndërsa “Skifterat” synojnë ta vazhdojnë formën e mirë nëpër të cilën po kalojnë.

Prishtina do t’i bëjë konak Dukagjinit, i cili regjistroi një fitore të madhe me Malishevën, ndërsa Suhareka llogarit në fitore ndaj Feronikelit 74.