Spektakël i garantuar në San Siro, Inter dhe Barcelona synojnë finalen e Ligës së Kampionëve pas barazimit dramatik
Pas një ndeshjeje plot emocione dhe gola në sfidën e parë, Interi dhe Barcelona do të ndeshen sonte në stadiumin San Siro në duelin e dytë gjysmëfinal të Ligës së Kampionëve.
Takimi i javës së kaluar në Kataluni dhuroi një barazim spektakolar 3:3, duke lënë gjithçka të hapur për këtë përballje vendimtare në Milano.
Interi shfaqi forcë duke kaluar në avantazh 2:0 në stadiumin Lluis Companys Olympic, por Barcelona nuk u dorëzua dhe arriti të barazonte rezultatin, duke e bërë ndeshjen e kthimit edhe më interesante dhe të paparashikueshme.
Sonte, të dy ekipet konsiderohen me shanse thuajse të barabarta për të siguruar një vend në finalen e madhe të këtij kompeticioni prestigjioz.
Megjithatë, si Interi ashtu edhe Barcelona do të kenë mungesa të rëndësishme në formacion. Për më tepër, të dy trajnerët janë në dilemë nëse do të mund t’i aktivizojnë sulmuesit e tyre kryesorë që nga fillimi i ndeshjes. Robert Lewandowski pritet të nisë ndeshjen nga bankina e rezervës, ndërsa Lautaro Martinez ka më shumë gjasa të jetë titullar për Interin.
Barcelona do të jetë e hendikepuar në mbrojtje, duke mos mundur të llogarisë në shërbimet e dyshes Balde dhe Kounde. Nga ana tjetër, Interi nuk do të mund ta ketë në dispozicion mbrojtësin Pavard.
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, e njeh mirë forcën e kundërshtarit dhe sfidën që e pret ekipin e tij sonte në Milano. “Interi është i fuqishëm, një ekip me mjaft eksperiencë, ata po e dashurojnë lojën e futbollit. Ne tashmë i kemi fituar dy trofe në këtë sezon. Të gjithë lojtarët janë përmirësuar dhe janë rritur. Ne tash jemi në gjysmëfinale të Championsit dhe duhet ta shijojmë këtë moment dhe këtë arritje. Duhet ta shijojmë lojën me njëri-tjetrin dhe t’ua demonstrojmë të gjithëve se sa të mirë jemi. Kur e nisëm sezonin, askush s’ia kishte idenë se çka do të arrinim. Ne duam ta shijojmë lojën e futbollit dhe duam që t’i kënaqim tifozët tanë”, u shpreh Flick.
Nga ana tjetër, trajneri i Interit, Simone Inzaghi, shprehet optimist përpara kësaj ndeshjeje dhe është i motivuar ta dërgojë skuadrën zikaltër në finalen e madhe. Ai ka respekt të madh për Barcelonën, por beson në potencialin e ekipit të tij. “Ne e dimë rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Ne do të kemi nevojë për një lojë të madhe kundër një ekipi mjaft të fortë, të cilin e pamë nga dora e parë. Duhet të jemi të kujdesshëm. Grupi beson në veten, ata e duan finalen dhe po e presim me padurim këtë ndeshje”, tha Inzaghi.
Interi, finalist i Ligës së Kampionëve në vitin 2023, ka fituar këtë trofe tre herë në historinë e tij, duke e eliminuar Barcelonën në gjysmëfinalen e paharrueshme të vitit 2010. Ndërkohë, Barcelona, e cila për herë të fundit ishte pjesë e gjysmëfinales në vitin 2019, po kërkon finalen e parë që nga viti 2015, kur e fitoi për herë të fundit këtë kompeticion.
Në total, në 13 përballjet e zhvilluara mes Interit dhe Barcelonës, statistikat tregojnë një epërsi të lehtë të katalunasve me 6 fitore, krahasuar me 2 fitoret e Interit, ndërsa 5 ndeshje kanë përfunduar në barazim. Interi ka shënuar 13 gola, ndërsa Barcelona 20.
Spektakli dhe emocionet pritet të jenë të pranishme sonte në San Siro, ku do të vendoset se cila nga këto dy skuadra të mëdha do t’i bashkohet tashmë finalistit tjetër në ndeshjen e madhe për trofeun e Ligës së Kampionëve. Ndeshja mes Interit dhe Barcelonës do të luhet sonte duke filluar nga ora 21:00.