Sot 6 vjet Kosova u anëtarësua në FIFA

13.05.2022

FFK u pranua si anëtarja e 210-të në Kongresin e 66-të të FIFA-s, i cili ishte mbajtur në Meksikë. Në favor të anëtarësimit të Kosovës kishin votuar 141 anëtarë të FIFA-s. Pranimi i FFK-së në FIFA përfundimisht i dha fund izolimit prej dy dekadash e gjysmë të futbollit kosovar, pasi 10 ditë para kësaj date […]

Sot 6 vjet Kosova u anëtarësua në FIFA Foto: Ilustrim

FFK u pranua si anëtarja e 210-të në Kongresin e 66-të të FIFA-s, i cili ishte mbajtur në Meksikë. Në favor të anëtarësimit të Kosovës kishin votuar 141 anëtarë të FIFA-s.

Pranimi i FFK-së në FIFA përfundimisht i dha fund izolimit prej dy dekadash e gjysmë të futbollit kosovar, pasi 10 ditë para kësaj date FFK ishte pranuar edhe në UEFA.

Në 6-vjetorin e anëtarësimit në FIFA, presidenti Agim Ademi nëpërmjet një mesazhi ka falënderuar të gjithë kontribuuesit, gjeneratat e futbollistëve, si dhe drejtuesit e zyrtarët e FFK-së e të klubeve nëpër të gjitha etapat, derisa ka vlerësuar përparimin e bërë në të gjitha drejtimet që nga viti 2016.

Mesazhi i plotë i presidentit Ademi:

13 maj, 2016 është data kur Kosovës iu hapën edhe dyert e shtëpisë së madhe – FIFA. Një datë kjo sa e rëndësishme, po aq e paharrueshme e historike, jo vetëm për komunitetin e futbollit, por në përgjithësi për shtetin e Kosovës.

Një datë, e cila nuk do të ishte e tillë pa vazhdimësinë e garës, punën e palodhshme të shumë punëtorëve sportivë, mjetet e shumta të donatorëve dhe sakrificën e shumë gjeneratave, që përkundër vështirësive e maltretimeve në kohën e okupimit dhe më pas edhe kushteve të vështira financiare pas luftës, arritën që ta mbajnë gjallë futbollin dhe ta jetësojnë ëndrrën e një populli të tërë.  

Në këtë ditë të veçantë, falënderoj të gjithë kontribuuesit, gjeneratat e futbollistëve, si dhe drejtuesit e zyrtarët e FFK-së e të klubeve nëpër të gjitha etapat, e që me punën e përbashkët arritëm që shtetin tonë ta përfshijmë në familjen e madhe të futbollit botëror.

Sot, gjashtë vjet pas anëtarësimit në UEFA e FIFA, Kosova ka përvojën e duhur dhe është vlerësuar si storie suksesi. Kemi bërë hapa të mëdhenj përpara dhe kemi pasqyruar vlerat e futbollit dhe të kulturës sonë sportive.

Duke iu falënderuar UEFA-s e FIFA-s kemi realizuar shumë projekte, të cilat ia kanë mundësuar të rinjve të Kosovës që ta kenë më të lehtë aktivitetin e tyre në futboll, teksa në vazhdimësi po punojmë në edukimin e kuadrove të reja dhe masovizimin e futbollit.

Gjatë tërë këtyre viteve kemi dëshmuar se jemi në rrugën e duhur dhe jam i bindur se futbollin tonë e presin ditë edhe më të lavdishme, pasi edhepse jemi vend i vogël e kemi përkushtimin, vullentin, talentin dhe potencialin për gjëra të mëdha.

Futbolli ynë ka shënuar rritje si në nivelin e klubeve edhe në atë të kombëtareve. Sivjet për herë të parë do të përfaqësohemi me katër klube në garat evropiane dhe për herë të parë kampioni ynë shkon direkt në fazën e parë kualifikuese të Ligës së Kampionëve. Ndërkaq, me ekipin kombëtar kemi shpresa të mëdha për rrugëtim tjetër të suksesshëm në Ligën e Kombeve që nis në qershor, teksa po vazhdon puna e mirë për suksese edhe në ekipet e tjera zinxhirë në të dyja konkurrencat. 

FFK do të vazhdojë që së bashku me UEFA-n, FIFA-n, institucionet vendore dhe me klubet ta implementojë strategjinë e saj për ngritjen e mëtejme të imazhit dhe cilësisë së futbollit në vendin tonë në të gjitha aspektet.

Urime e na priftë e mbara!

#BashkëPërFutbollin

Me respekt,
Agim Ademi, president i FFK-së