Skuadra e madhe spanjolle i thotë “JO” Superligës Evropiane

Skuadra e madhe spanjolle i thotë “JO” Superligës Evropiane
Çlirim Gashi

19.04.2021 / Sport

Bota e futbollit aktualisht është duke notuar në ujëra të trazuar, pasi ka mospajtime që sporti më i shikuar në botë të ndahet në disa gara si ajo e iniciativës për formimin e Superligës së Evropës.

Pro kësaj iniciative për formimin e kësaj lige janë shprehur klubet si Liverpool, Manchester City, Manchester United, Chelsea, Arsenal, Tottenham Hotspur, Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Ac Milan, Inter dhe Juventus.

Ndërsa shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA është shprehur kategorikisht kundër formimit të kësaj lige.

Përveç UEFA-s kundër kësaj lige janë edhe shumë ekipe të evropës si: Bayerni, Dortmundi, PSG-ja e shumë të tjerë.

Po ashtu së fundmi kundër Superligës së Evropës ka dalur edhe skuadra e madhe spanjolle, Sevilla.

“Bordi i Drejtorëve të Sevilla FC dëshiron të shprehë publikisht refuzimin e tij të plotë të një turneu të bazuar ekskluzivisht në parametrat ekonomikë dhe jashtë fushës së veprimit të UEFA-s”, thuhet në komunikatën e Sevillas.

Tutje, në këtë komunikatë, Sevilla ka shkruar se Superliga Evropiane është në kundërshtim me ADN-në e tyre.

“Përveç kësaj, krijimi i kësaj Superliga do të shërbente vetëm për të dëmtuar futbollin në përgjithësi dhe pjesën tjetër të ekipeve. Në të njëjtën kohë, ajo do të godiste rëndë shoqërinë dhe do të ndëshkonte shumicën dërrmuese të tifozëve të vërtetë të futbollit…”, shkruhet ndër të tjera në komunikatë.

Ndryshe, Alesandre Ceferin ka deklaruar se lojtarët, të cilët luajnë në këtë kompeticion do të përjashtohen menjëherë nga ekipet e tyre kombëtare.

“Lojtarët që do të luajnë në Superligë do të ndalohen të luajnë në Kupën e Botës dhe në Kampionatin Evropian. Ata nuk do të lejohen të luajnë për ekipet e tyre kombëtare ”, ka thënë Ceferin.

RAPORTO