S’kanë fund surprizat, Lyoni eliminon City-n e Guardiolës

Tjetër skuadër e madhe dhe pretendente eliminohet në çerekfinale të Championsit. Pas Atleticos dhe Barçës, ishte radha e Manchester City-t, që u mposht 3-1 nga Lyoni, me francezët të cilët do të përballën me Bayernin në gjysmëfinale.

Për të disatin vit radhazi Guardiola dështon t’i shkojë deri në fund një kompeticioni të cilin e ka fituar dy herë në krye të Barcelonës.

Pas kualifikimit të bujshëm ndaj Juves, Lyoni kaloi me plot meritë edhe Citizens. Në minutën e 24-t, Cornet kaloi në epërsi ekipin francez, ndërsa City arriti të barazonte pas përpjekjeve të gjata në minutën e 69-të me De Bruyne. Pas vetëm 10 minutave lojë nga finalizimi i belgut, Dembele realizoi golin e 2-1, ndërsa tri minuta para fundit të kohës së rregullt shënoi golin e “knock out”-it.

Nuk mund t’u besonte syve për këtë eliminim Guardiola, pasi skuadra e tij prodhoi volum të madh loje, krijoi raste, por ishte e pasaktë në finalizim. I pafalshëm gabimi Raheem Sterling, kur rezultati ishte 2-1, me sulmuesin anglez që me portën e boshatisur goditi mbi tra. Një dështim plot keqardhje, që do të jetë i vështirë për t’u pranuar nga Guardiola.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.