Sezoni 2019/20 në Superligë: Pritshmëritë dhe analizë për 12 skuadrat ndër ta edhe FC Ballkani

Sot (e shtunë) fillon sezoni i ri 2019/20 në Superligën e Kosovës në futboll, një sezon që pritet të jetë ndër më të suksesshmit ndonjëherë.

Federata e Futbollit e Kosovës ka konfirmuar disa ndryshime. Nga sezoni 2019/20 nuk do të këtë më ndeshje të barazhit, katër skuadra e fundit në renditjen tabelare do të bien nga Superliga, teksa dy të parat nga Liga e Parë do t’i bashkohen Superligës. Gjithashtu, nga ky sezon i ri Kosova do të përfaqësohet me tri skuadra në Europë.

Duke parë këto ndryshime, sezoni 2019/20 pritet të jetë i fortë, interesant dhe i paparashikueshëm.

Analisti i njohur sportiv, Ardian Llumnica, për Gazetën Metro ka dhënë një analizë për sezonin e ri në Superligën e Kosovës në futboll.

“Parimisht janë disa skuadra pretendente për titull, e më cilësi të përafërta. Feronikeli, Prishtina, Drita, Gjilani, Llapi e Ballkani janë skuadrat që kanë investuar më së shumti në afatin kalimtar në sasi, por edhe në cilësi. Megjithëatë, kjo asesi nuk do të thotë që të gjitha këtyre skuadrave do t’i shkojë gjithçka mirë dhe do t’i përmbushin objektivat. Pasi që kemi shumë transferime, duhet potencuar që komponimi i skuadrës është element determinues për sukses. Pjesa tjetër e skuadrave ambiciet i ka të qarta, të mbijetëojnë dhe kështu do të mbesin brenda objektivave” – tha fillimisht Llumnica për Metron, teksa dha analizë edhe për secilën skuadër.

Ballkani: Skuadra nga Suhareka ka bërë një ‘mix’ të futbollistëve. Disa të rinj me përspektivë që edhe mund të mos jenë gati për barrën e kampionatit tani, por edhe me disa futbollistë që kanë përvojë. Lëvizjet te Ballkani na bëjnë të kuptojmë që klubi ka synim krijimin e një skuadre edhe për të ardhmen e afërt.

Feronikeli: Skuadra nga Drenasi thuajse se ka ruajtur bërthamen e skuadrës dhe çka është përparsia e tyre, mbetet të shihet nga filozofia e trajnerit të ri. ‘Nikli’ do ta këtë të vështirë mbrojtjen e titullit dhe kjo mund ta fus skuadrën në ‘presion’, siç thuhet në zhargonin e futbollit.

Prishtina: Skuadra nga kryeqyteti është e etur për titull dhe atë do ta kërkojë deri në atomin e fundit. Mendoj që Prishtina me përforcimet që i ka bërë ka skuadër më të mirë se në sezonin e kaluar dhe trajneri Josa i ka të gjitha ‘kushtet’ që ta kthej titullin në kryeqytet. Asnjë pozitë tjetër nuk është e kënaqëshme për Prishtinën dhe kështu më nuk do të këtë justifikime.

Drita: Me përforcimet e bëra është skuadër pretendente. Nëse nuk arrin titullin, një vend në Europë do ta kërkojë me çdo kusht për ta ruajtur edhe ‘imazhin’ e klubit kampion të para dy viteve.

Gjilani: Trajnerit Mezani nuk i eci mirë asgjë në sezonin e fundit, mund të këtë arsyetim për atë përiudhë, por asesi tani sepse klubi ka hap ‘thesin’ duke bërë përforcime të shtrenjta. Gjilanin e shoh më shumë cilësorë nga sezonin i kaluar.

Llapi: Marrë sipërfaqesisht, Llapit iu ka thyeri ai ‘skeleti llapjan’ i viteve të fundit. Por, në anën tjetër kanë bërë 2-3 përforcime cilësore nga Kosova, por edhe nga jashtë. Kjo e bën skuadrën e Llapit të paparashikueshme. Mos dalja në Europë do të ishte përsëri dështim për ta.

Trepça ’89: Nuk ka arritur ta ruaj atë ‘lavdin’ e klubit, sepse ka qenë klubi i parë që ka luajtur në garat europiane dhe kishin rastin ta kapin tregun e mirë. Mendoj që 89’shi do të orvatet për mbijetësë dhe eventualisht përmes Kupës të bëjnë diçka.

Ferizaj: Fokusi kryesor i klubit ka qenë statusi i klubit dhe kjo ka bërë që skuadra të jetë vonë me fillim e përgatitjeve dhe njëkohësisht të mos të kryejnë transferime çfare ‘mëtonte’ klubi të bënte. Por, nuk duhet mohuar faktin që në skuadër ka disa futbollistë me përvojë që në luftën e tyre për mbijetësë janë determinues.

Flamurtari: Skuadra nga kryeqyteti përkundër që ka disa freski e përforcime mendoj që do të luftojë për mbijetësë. Trajneri Shaqiri nga Maqedonia e Veriut do të përballet me këtë sfidë, jo fortë të lehtë. Zhvillimi i ndeshjeve në ‘Xhemail Ibishi’ do të jetë një tjetër faktor që Flamurtarin e bën më ‘konkurues’ si vendas.

Drenica: Skuadra nga Skenderaj përkundër që ka qenë vazhdimisht në dekadën e fundit pjesë e Superligës, këtë vit nuk do ta kenë të lehtë ta ruajnë këtë ‘epitet’. Përkundër që kanë bërë disa transferime dhe 2-3 prej tyre janë kogja cilësore, mendoj objektivi i tyre do të jetë mbijetesa në Superligë.

Tutje, Llumnica foli edhe për dy skuadrat që sezonin e fundit e siguruan inkuadrimin në Superligë. Ai tha se Vushtrria dhe Dukagjini do të ngjallin ‘tifozëllakun’ në Kosovë dhe do rrisin statistikat e tyre.

Vushtrria: Pas largimit të kryesisë së vjetër, janë vonuar me emërimin e kryesisë së re dhe kështu vushtrriasit do ta vuajnë këtë qysh në fillim të edicionit. Mendoj kështu sepse në kohën kur kryesia e re ka marrë menaxhimin e klubit, Vushtrria mbeti me pak alternativa cilësore në tregun e transferimeve.

Dukagjini: Mbase mund të mos e kenë vëmendjen aq, por me atë çfarë kam parë në disa ndeshje miqësore, trajneri Xhengiz Rexhepi ka bërë një skuadër mjaft konkuruese. Mbase, mund të jetë edhe befasi e kampionatit. Kur them befasi nuk aludoj në titull, por në atë që skuadra nga Klina do të shfaq ndeshje të mira dhe do të jetë arrë e fortë për secilën skuadër.

Sezoni 2018/19 fillon nesër(17 gusht), në program janë tri ndeshje të shtunën dhe tri të dielën.

RAPORTO