Edhe pse një njoftim zyrtar nga FIFA ende mungon, burime të sigurta pranë palëve të përfshira konfirmojnë se konsensusi është arritur, duke e vendosur stadiumin e rinovuar në Madrid në një pozitë të parezistueshme për të pritur ndeshjen më të rëndësishme të futbollit në nivel global.

Kupa e Botës 2030 do të ketë një rëndësi të veçantë historike, pasi për herë të parë në historinë e kompeticionit, do të organizohet nga tre shtete: Maroku, Portugalia dhe Spanja. Kjo do të sjellë një shpërndarje të ndeshjeve në qytete të ndryshme të tre vendeve, duke krijuar një festë të vërtetë futbolli ndërkontinental.

Brenda Spanjës, një sërë qytetesh janë përzgjedhur për të qenë pjesë e këtij eventi madhështor, përfshirë La Coruna, Barcelona, Bilbao, Las Palmas, Madrid, Malaga, San Sebastian, Sevilla dhe Zaragoza. Megjithatë, kur bëhet fjalë për ndeshjen finale, ‘Santiago Bernabeu’ ka qenë gjithmonë në krye të listës së preferencave.

Faktori vendimtar në këtë përzgjedhje duket se ka qenë marrëdhënia e shkëlqyer dhe bashkëpunimi i frytshëm ndër vite mes FIFA-s dhe Real Madridit. Klubi mbretëror spanjoll ka investuar masivisht në modernizimin e stadiumit, duke e shndërruar atë në një arenë ultra-moderne, të pajisur me teknologjinë më të fundit dhe infrastrukturë të përshtatshme për çdo lloj eventi të madh.

Në garë për finalen ishte edhe Barcelona me propozimin për stadiumin e saj të rinovuar, ‘Spotify Camp Nou’. Pavarësisht kapacitetit më të madh të stadiumit katalanas, duket se gatishmëria e plotë, vendndodhja qendrore në kryeqytetin spanjoll dhe testimi i suksesshëm i Bernabeut me organizimin e ngjarjeve të mëdha sportive dhe kulturore, i kanë dhënë Madridit një avantazh të qartë.

Me zemrën e botës së futbollit që pritet të rrahë në Madrid, ‘Santiago Bernabeu’ është më afër se kurrë të bëhet dëshmitar i shkrimit të një kapitulli të ri në historinë e Kampionatit Botëror në vitin 2030.