Carles Perez Roma arrin marrëveshje me sulmuesin e Barcelonës, nesër pritet zyrtarizimi

Foto: Ilustrim

Pasi mori Ibanez nga Atalanta për shifrën e 10 milionë eurove, Roma është gati për një goditje të dyfishtë, pasi nga kampionati spanjoll po vijnë një mesfushor dhe një sulmues, të cilët pritet të mbushin boshllëqet e krijuara nga dëmtimet.

Kështu Petrachi ka mbyllur marrëveshjen me Barcelonën për blerjen e sulmuesit Carles Perez, i cili pritet të zbarkojë nesër në Romë dhe pasi të kalojë vizitat mjekësore, do të nënshkruajë me klubin verdhekuq.

Perez nuk po gjente hapësira te Barcelona ndaj drejtuesit katalanë pranuan ofertën e Romës për ta dhënë në huazim me detyrim blerjeje për një shifër totale prej 15 milionë eurosh.

Ndërkohë në orët e ardhshme pritet të mbërrijë në kryeqytetin italian edhe mesfushori i Elches Gonzalo Villar, që pasi të kalojë testet mjekësore, do të nënshkruajë për 4 sezone e gjysmë me skuadrën verdhekuqe.

Me këto afrime trajneri Fonseca mund të ndihet i plotësuar, me shpresën që do të rikuperojë sa më shpejt edhe të dëmtuarit, për të pasur mundësi të shumta zgjedhjesh deri në fund të kampionatit.