Rikthehet Liga e Kampionëve me dy super ndeshje

Magjia e Champions League rikthehet në mbrëmjen e sotme. Dy ndeshje për t’u parë dhe që me shumë mundësi do të kenë edhe gola, nëse nuk kthehen në beteja shahu. Të dyja takimet nisin prej orës 21:00.

Atletico Madrid-Liverpool është njëra prej përballjeve. Trajneri Diego Simeone nuk ka të gatshëm për këtë përballje yllin e skuadrës, Joao Felix, por me grupin që ka në dispozicion dhe mbështetjen e publikut, do mundohet ta kalojë me sukses këtë përballje.

“The Reds” vijnë në këtë ndeshje pas një fitoreje të vuajtur me Norwich në kampionat. Skuadra e Klopp do tentojë të mbrojë kurorën e Champions dhe në Madrid shkon me objektivin e qartë për të fituar.

Përballja tjetër është ajo ndërmjet Borussia Dortmund dhe PSG-në, e cila do të ketë në fushë edhe Neymar, i cili është rikuperuar nga dëmtimi. Francezët janë në kërkim të një suksesi në arenën ndërkombëtare dhe kalimi i verdhezinjve shikohet si detyrim.

Gjithsesi Dortmund ka treguar gjithmonë që është një kockë e fortë për këdo. Të përforcuar me Haaland, si dhe me Hakim e Sancho në një formë shumë të mirë, PSG duhet të ketë kujdes nga kundërzbritjet e shpejta të gjermanëve.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.