Rezultatet dhe renditja në Superligën e Kosovës pas xhiros së dhjetë

20.10.2021

Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Drenicën, me rezultat 2:1. Për gjilanasit kjo ishte fitorja e parë pas dy barazimeve. Të dy golat për skuadrën e Ismet Munishit i realizoi Gerhard Progni. Fillimisht shënoi në minutën e 65-të me një gjuajtje nga distanca, derisa më pas realizoi në minutën e […]

Rezultatet dhe renditja në Superligën e Kosovës pas xhiros së dhjetë Foto: Ilustrim

Gjilani ka shënuar fitore para tifozëve të vet në duel me Drenicën, me rezultat 2:1. Për gjilanasit kjo ishte fitorja e parë pas dy barazimeve.

Të dy golat për skuadrën e Ismet Munishit i realizoi Gerhard Progni. Fillimisht shënoi në minutën e 65-të me një gjuajtje nga distanca, derisa më pas realizoi në minutën e 76-të nga penalltia.

Ndërkaq, golin e vetëm për Drenicën e shënoi Baton Zabërgja, në minutën e 83-të. Pas kësaj fitoreje Gjilani përforcon pozitën e tretë, derisa Drenica pas kësaj humbje humb pozitën e parë në renditje dhe tashmë ka kuotë të barabartë pikësh me Gjilanin, nga 17 pikë.

Në ndeshjen tjetër, Ballkani ka barazuar pa gola në Klinë në duel me Dukagjinin, epilog ky i cili i ka mjaftuar për t’u rikthyer në pozitën e liderit, me 18 pikë.

Ndërkaq, gjatë ditës së djeshme janë zhvilluar tri ndeshje, ndeshje këto hapëse të kësaj xhiroje, ku dhuruan spektakël në futboll.

Prishtina e mposhti Malishevën me rezultat 2-1, ndërsa Llapi ka mposhtur Ulpianën me rezultat të thellë, në 90 minuta lojë, llapjanët fituan me rezultat 6-0.

Ndërsa, Feronikeli ka pësuar humbje nga Drita me rezultat 0-2.

Pas përfundimit të xhiros së 10-të, ka ndryshuar edhe renditja tabelare e Superligës së Kosovës, ku Ballkani është ngjitur në pozitën e parë me 18 pikë, në vendin e dytë renditet Drenica me 17 pikë, kështu duke lënë pas Gjilanin me 17 pikë dhe Dritën në vendin e 4-të me 16 pikë.

Në pozitën e pestë renditet Prishtina me 13 pikë, kurse në atë të 6-të Malisheva me 12 pikë, në të 7-të Llapi me 12 pikë, ndërkaq në vendin e 8-të renditet Dukagjini me 10 pikë, në të parafundit (9-të) renditet Feronikeli me 10 pikë dhe në të fundit (10-të) Ulpiana me 7 pikë.