Renditja tabelare pas xhiros së tretë në Superligë, Ballkani në vendin e parë

13.09.2021

Në fundjavën që lamë pas u zhvilluan ndeshjet e xhiros së 3-të në Superligën e Kosovës në futboll. Gjatë kësaj xhiro u zhvilluan ndeshje tejet interesante. Skuadra kampione në fuqi, Prishtina ka pësuar humbjen e dytë në këtë edicion. Bardhekaltrit e kryeqytetit janë mundur nga Drenica në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me shifrat 2:1. […]

Renditja tabelare pas xhiros së tretë në Superligë, Ballkani në vendin e parë Foto: Ilustrim

Në fundjavën që lamë pas u zhvilluan ndeshjet e xhiros së 3-të në Superligën e Kosovës në futboll.

Gjatë kësaj xhiro u zhvilluan ndeshje tejet interesante.

Skuadra kampione në fuqi, Prishtina ka pësuar humbjen e dytë në këtë edicion. Bardhekaltrit e kryeqytetit janë mundur nga Drenica në stadiumin “Bajram Aliu” në Skenderaj, me shifrat 2:1. Për Drenicën kjo ishte fitorja e dytë, teksa kanë realizuar edhe një barazim. Golat për kuqezinjtë i shënuan Denisson (9’) dhe Baton Zabërgja (63’), derisa për Prishtinën golin e vetëm e realizoi Otto John (73’). Do theksuar se prishtinasit që nga minuta e 38-të luajtën me një lojtar më pak, ngase Erando Karabaci u ndëshkua me karton të kuq, pas rishikimit të VAR-it për shkak të një ndërhyrje të ashpër.

Fitore në shtëpi realizoi edhe Ballkani, por shumë më vështirë se sa pritej në duel me Ulpianën, me rezultat 3:2. Ballkani kaloi në epërsi në minutën e 5-të me golin e Armend Thaqit, derisa epërsinë në 2:0 e shtoi Astrit Thaqi, në minutën e 53-të.

Mirëpo, mysafirët arritën të rikthehen me golat e Trimnor Selimit (72’) dhe Ardi Shalës në minutat e fundit. Megjithatë, në minutën e fundit të shtesës Ballkani gjeti golin e fitores, kur pas harkimit të bukur të Armend Thaqit mbrojtësi Rrustem Hoxha shënoi me gjuajtje me kokë për 3:2.

Ndërkohë, Drita shënoi fitore si mysafire, 1:0, duke ia ndalë nismën pozitive skuadrës së promovuar në elitë, Malishevës. Goli i vetëm në këtë ndeshje u shënua në minutën e 83-të nga Ardit Tahiri, gol ky i cili u konfirmua vetëm pas rishikimit në VAR, pasi nuk dihej nëse topi e kishte kaluar vijën e portës apo jo.

Ndërsa, dje janë zhvilluar dy ndeshjet e fundit të javës së 3-të në Superligë. Dukagjini ka shkëputur një pikë të rëndësishme si mysafir në duel me skuadrën favorite, Gjilanin, duke barazuar 0:0. Të dyja ekipet patën mundësi të mira shënimi, por nuk arritën të gjejnë rrugën e golit. Madje, Gjilanit në pjesën e dytë golin ia mohoi shtylla pingule pas gjuajtjes së Torrases.

Për të dyja skuadrat ky ishte barazimi i dytë në këtë edicion, teksa gjilanasit kanë edhe një fitore, derisa skuadra nga Klina ka pësuar një humbje.

Ndërkohë, edhe në ndeshjen tjetër ishte skuadra mysafire që rezultoi e suksesshme, por Feronikeli arkëtoi pikët e plota, duke e befasuar Llapin në Merdar, me rezultat 2:0. Për skuadrën nga Drenasi kjo ishte fitorja e parë në këtë edicion, derisa llapjanët pas dy barazimeve e përjetuan edhe humbjen e parë.

Golat për Feronikelin i shënuan Dren Gashi, në minutën e 45-të dhe Diar Prokshi, në minutën e 64-t. Mysafirët në minutat e fundit realizuan edhe një gol nëpërmjet Dren Gashit, por ai u anulua pas rishikimit të VAR-it për pozitë jashtëloje.

Në renditjen tabelare, tre vendet e para janë me pikë të njëjta, ku në këto pozita bëjnë pjesë Ballkani, Drenica dhe Drita me nga 7 pikë.

Në vendin e katërt renditet Gjilani me 5 pikë, ndërsa Malisheva në vendin e 5-të me 4 pikë, Feronikeli në atë të 6-të me 3 pikë, Dukagjini në të 7-të dhe Llapi në të 8-të me nga 2 pikë dhe Prishtina në të 9-të dhe Ulpiana në të 10-të me nga një pikë.