PSG-ja do me ngulm Icardin, por ka një kërkesë për Interin

PSG-ja e ka vendosur tashmë, do ta blejë kartonin e Mauro Icardi-t. Por nisur nga pandemia e COVID-19, klubi parisien kërkon që Interi t’i bëjë një ulje.

Kur argjentinasi u huazua në 2019-ën, në bazë të marrëveshjes u vendos që nëse do të blihej nga PSG-ja, për kartonin e tij duhet që të paguhen 70 milionë euro.

Por drejtuesit e klubit nuk duan të shpenzojnë një shifër të tillë, e kërkojnë që zikaltrit ta rishikojnë çmimin.

Francezët janë të gatshëm të dërgojnë në Milano edhe Julain Draxler-in, vetëm e vetëm që 70 milion eurot të mos paguhen të gjitha me para, por një pjesë të konvertohet me kartonin e gjermanit. Nëse konfirmohet përfshirja e Draxler, atëherë Interi mund të bindet dhe të pranojë ofertën e re të PSG-së.

Icardi në këtë sezon ka shënuar 12 gola në Ligue 1 dhe 5 gola në Ligën e kampioneve e 3 në Kupën e Ligës.

Por në mediat italiane është raportuar se kubi parisien mund ta blejë argjentinasin dhe më pas t’ia shesë atë Juventusit, që e pëlqen sulmuesin. Interi direkt këtë nuk e bën, pasi nuk ka në plan të forcojë rivalin në kampionat.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.