Pogba la pas dëmtimin, Solskjaer “ngre në qiell” francezin

Manchester United nuk ka patur progresin e duhur, apo atë zhvillim që të gjithë fansat e këtij ekipi prisnin. Më në fund, këtë here, ai që e pranon diçka të tillë është vetë trajneri i skuadrës Ole Gunnar Solskjaer.

46-vjeçari norvegjez u emërua fillimisht më 19 dhjetorin e vitit të kaluar në rolin e kujdestarit te “Djajtë e Kuq”, pas shkarkimit të Jose Mourinho-s, që erdhi menjëherë pas disfatës 3-1 me Liverpoolin. Trajneri nordik deklaroi se klubi është shumë më prapa nga ç’mendohej me parashikimet e fillimsezonit.

Solskjaer e filloi aventurën e tij duke fituar 10 nga 13 sfidat e para me United në Premiership, megjithatë, që nga 28 marsi i këtij viti, pikërisht data kur drejtuesit vendosën ta emërojnë si trajner të “Djajve të Kuq” me të drejta të plota, tekniku norvegjez ka fituar vetëm 8 nga 26 sfidat e tjera në kampionatin anglez, më saktë 8 fitore, 9 barazime dhe plot 9 humbje. Mbi të gjitha në këtë edicion të Premier League-s United ka fituar 6 nga 18 sfidat e luajtura, pra vetëm 1/3 e ndeshjeve në dispozicion në kampionatin anglez.

Edhe në rast se ekipi merr 3 pikë të plota ndaj Newcastle, përsëri ky mbetet sezoni më i dobët për United pas javës së mbajtur në “boxing day” dhe për të gjetur një start më të dobët të këtij klubi nevojitet një kthim pas prej plot tri dekadash në kohë, kur në timon qëndronte Alex Ferguson.

Solskjaer ka mbushur një vit në drejtimin e “Red Devils” dhe trajneri nordik është justifikuar gjithmonë me idenë se është duke e përdorur këtë kohë për të ndërtuar skuadrën për sezonin e ardhshëm si dhe për të rikthyer mentalitetin dhe kulturën e dikurshme në gjirin e futbollistëve. 46-vjecari shpjegoi se, sipas tij, ishte deri diku e pritshme që ky sezon të ishte me ulje-ngritje. Solskjaer shtoi se ky edicion do të shërbejë për të ndërtuar dhe përgatitur ekipin për sezonin e ardhshëm, megjithatë ai shpreson shumë që ky proces të përshpejtohet dhe skuadra të ketë vazhdimësi dhe të marrë më shumë rezultate pozitive.

Trajneri aktual i “Djajve të Kuq” është i bindur se lojtarët e tij do të fitojnë eksperiencën e nevojshme dhe do të nxjerrin mësimet e duhura nga gabimet e së shkuarës, por gjithsesi norvegjezi pranoi se për momentin ekipi është mbrapa, krahasuar me çfarë shpresohej gjatë fazës përgatitore. Në vijim Solskjaer shprehu vlerësimet më të larta për mesfushorin Paul Pogba, që u rikthye nga dëmtimi, pas një mungese 3-mujore, teksa hyri si zëvendësues në “Vicarage Road”, në humbjen 2-0 me një kundërshtar si Watfordi, që pozicionohet në vendin e fundit në kampionatin anglez.

Trajneri i “Red Devils” tha se e konsideron 26-vjeçarin francez si mesfushorin më të mirë në botë dhe, sipas tij, është pothuajse gati për të startuar si titullar në duelin me Newcastle United. Solskjaer deklaroi se Pogba mund të luajë kudo, madje edhe si mesfushor me detyra mbrojtëse, pasi e konsideron francezin si një futbollist që mund të shkojë nga njëra zonë në zonën tjetër të fushës.

Trajneri nordik vazhdoi elozhet për Pogbanë, duke shtuar se Paul është tepër i zoti në mbulimin e çdo roli dhe mund të tërhiqet në thellësi dhe mund të përdorë pasimin e gjatë, por mund që edhe të dalë në sulm, duke kombinuar përpara me pasime të shkurtra me shokët.

Statistikat zyrtare të trajnerit Ole Gunnar Solskjaer në drejtimin e “Djajve të Kuq” janë 18 fitore, 11 barazime dhe 10 humbje, me vetëm 46% të ndeshjeve të fituara në kampionatin anglez. Takimin përmbyllës të fazës së parë me Newcastle United, “Red Devils” do ta luajnë për “boxing day” në “Old Trafford”, në orën 18:30, ndërkaq në “St’James’ Park” dueli ndërmjet këtyre dy skuadrave u fitua nga “magpies”, që zgjidhën ndeshjen me një gol të shënuar 18′ para fundit nga Matthew Longstaff.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.