Përkundër insistimit të FFK-së, Muriqi do të mungojë në tri ndeshjet e radhës

Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim.

Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.

Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve.

Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar.

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.