Pas Ballkanit, një skuadër e madhe futet në garë për trajnerin Brdaric

05.06.2021

Tomas Brdaric ka shprehur dëshirën për të rinovuar me klubin e Vllaznisë dhe gjasat janë që kjo të ndodhë shumë shpejt. Presioni është i madh për ta finalizuar këtë marrëveshje, pasi për trajnerin ka interes nga klube shqiptare, ku së fundmi i është shtuar edhe Kukësi, pas një bisede të bërë nga ish-lojtari kroat, Pero […]

Pas Ballkanit, një skuadër e madhe futet në garë për trajnerin Brdaric Foto: Ilustrim

Tomas Brdaric ka shprehur dëshirën për të rinovuar me klubin e Vllaznisë dhe gjasat janë që kjo të ndodhë shumë shpejt.

Presioni është i madh për ta finalizuar këtë marrëveshje, pasi për trajnerin ka interes nga klube shqiptare, ku së fundmi i është shtuar edhe Kukësi, pas një bisede të bërë nga ish-lojtari kroat, Pero Pejiç, që pritet të marrë post te verilindorët me Brdariçin.

Ballkani në Kosovë e ka hedhur dorashkën, duke i ofruar 80 mijë euro në sezon trajnerit të Vllaznisë.

Interesim thuhet se ka edhe nga Polonia dhe Zvicra për Brdariçin. Ka pasur një takim gjatë ditës së djeshme me sponsorin e klubit, Alban Xhaferin, i cili mendohet se do të jetë edhe pronari i ri Vllaznisë, dhe katër kanë qenë kushtet kryesore të teknikut gjerman për të rinovuar. Gazeta “Panorama Sport”, nga burime të sigurta pranë klubit shkodran, ka arritur të zbulojë se cilat kanë qenë kërkesat kryesore të trajnerit.

1) Të shlyhet plotësisht për të gjitha pagat dhe premiot e përcaktuara në kontratën që kishte me Vllazninë për sezonin që shkoi. Për shkak të procedurave burokratike (sepse është klub bashkie), trajneri deri dje nuk kishte marrë të gjitha çfarë i takonin nga sezoni që sapo u mbyll.

2) Të ketë një rishikim të pagës. Aktualisht ai ka pasur një pagesë mujore prej 5 mijë eurosh dhe pretendimi, siç bëjnë me dije burimet, është që paga të jetë 7 mijë euro. Këtu nuk përfshihen bonuset në rast të fitimit të titullit sezonin e ardhshëm, arritjes në Kupat e Europës, fitimit të Kupës apo ndonjë surprize në Kupat e Europës. Për secilin prej këtyre objektivave mësohet se enturazhi i trajnerit ka kërkuar një shpërblim ekstra.

3) Rikonfirmimin e stafit me të cilin punoi këtë sezon (asistentët teknikë dhe drejtorin Matko Djarmati).

4) Rikonfirmimin e lojtarëve kryesorë të skuadrës si dhe vendimmarrje për çdo afrim të mundshëm. Pra, askush nuk mund të vijë pa miratimin e tij.