Pandemia nuk i ndal sukseset e xhudistëve kosovarë

31.12.2020

Xhudo vazhdon të jetë sporti kryesor në Kosovë për suksese. Në vitin 2020, edhe përkundër pandemisë, xhudistët e udhëhequr nga Driton Kuka nuk u ndalen dhe arritën t’i sjellin Kosovës medalje ndërkombëtare. Nora Gjakova e ka nisur vitin 2020 me medaljen e bronztë, të fituar në Grand Prixin e xhudos në Tel Aviv të Izraelit. […]

Pandemia nuk i ndal sukseset e xhudistëve kosovarë Foto: Ilustrim

Xhudo vazhdon të jetë sporti kryesor në Kosovë për suksese. Në vitin 2020, edhe përkundër pandemisë, xhudistët e udhëhequr nga Driton Kuka nuk u ndalen dhe arritën t’i sjellin Kosovës medalje ndërkombëtare.

Nora Gjakova e ka nisur vitin 2020 me medaljen e bronztë, të fituar në Grand Prixin e xhudos në Tel Aviv të Izraelit. Kampionia e Evropës 2018 dhe nënkampione e 2019-s fitoi të bronztën në kategorinë -57 kilogramë përmes repesazhit.

Ajo mposhti në luftën për të bronztën portugezen Telma Monteiro. Në muajin shkurt medalje ari dhe bronzi rrëmbeu ekipi i xhudos në kryeqytetin e Francës, Paris.

Distria Krasniqi, e cila pas gati dy vjetësh garoi në kategorinë -52 kilogramë, fitoi medaljen e artë. Ajo në finalen e zhvilluar para rreth 20 mijë shikuesve mposhti medalisten e argjendtë të Lojërave Olimpike Rio 2016, italianen Odette Giuffrida. Medalje, por të bronztë fitoi edhe Nora Gjakova në kategorinë -57 kilogramë. Nora fitoi medaljen e bronztë, pas fitores ndaj francezes, Leonie Cysique.

Në muajin tetor xhudistët iu rikthyen garave me sukses të plotë. Një e artë dhe një e bronztë ishte bilanci i ekipit olimpik të xhudos, nga pjesëmarrja në Grand Slamin e xhudos, që për tri ditë u mbajt në Budapest të Hungarisë. Distria Krasniqi fitoi të artën, duke dominuar kategorinë deri në 48 kilogramë. Ajo në finale mposhti kampionen olimpike “Rio 2016”, Paula Pareto. Medalja e bronztë, por në kategorinë -78 kilogramë, ishte rezervuar për Loriana Kukën, e cila fitoi medaljen e parë në një Grand Slam. Kuka në finale mposhti rusen Antonina Shmeleva. Distria Krasniqi, po ashtu, ka fituar medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian të xhudos, në Pragë të Republikës së Çekisë. Distria mposhti me ippon francezen Melanie Clement, kategoria deri në 48 kilogramë.

Loriana Kuka është medaliste e bronztë e Evropës në kategorinë -78 kilogramë të xhudos. Ajo fitoi të bronztën në Kampionatin Evropian Pragë 2020. Në luftën për të bronztën Lori mposhti italianen Giorgia Stangherlin me shënim të artë.