Neuer nuk rinovon me bavarezët, ky lajm alarmon Barcelonën

Barcelona mund të hasë një pengesë të re në përpjekjet për rinovimin e kontratës me portierin e saj gjerman, Marc-André Ter Stegen. Kjo pengesë ka emër dhe mbiemër, sipas informacionit të gazetës “Bild”: Manuel Neuer.

Ky i fundit dhe Bayern Munich nuk po bien dakord në bisedimet e rinovimit, ndaj klubi bavarez mund të rrëmbejë portierin Blaugrana, i cili është gjithashtu në bisedime me katalanasit, por pa mbyllur asgjë.

Siç është shpjeguar nga “Bild”, në rastin e Manuel Neuer dhe Bayern Munich problemi nuk është ekonomik, por kohëzgjatja e marrëveshjes së re. Portieri 33-vjeçar kërkon një rinovim afatgjatë, ndërsa klubi ofron nënshkrimin për më pak kohë. Kujtojmë se Neuer është një simbol jo vetëm në klubin bavarez, por edhe në kombëtaren gjermane, pasi kryeson të dyja formacionet. 

Në rastin e Bayernit, ai ka prej 10 vitesh titullar, pavarësisht se ka pësuar disa lëndime të mëdha. Në fakt, “gardiani” i bavarezëve ka eklipsuar edhe kolegun Blaugrana, Marc-André Ter Stegen (më 30 prill mbush 28 vjeç), i cili, pavarësisht nivelit të tij të shkëlqyeshëm me klubin, mbetet zëvendësues në “Mannschaft”.

Të dyja palët kanë shumë hapësirë për të negociuar, pasi Manuel Neuer nuk e finalizon kontratën deri në vitin 2021. Aspekti ekonomik nuk duket të jetë një problem i madh, sipas informacioneve nga gazeta gjermane. Sidoqoftë, nga këndvështrimi i Barçës, këto negociata përkojnë në kohë me bisedimet që ajo po bën me portierin e vet gjerman, të cilat kanë ngecur. Në këtë rast, për shkak të mospërputhjeve ekonomike. Ter Stegen nuk e përfundon kontratën e tij deri në qershor 2022.

Këtë sezon, derisa erdhi pushimi për shkak të pandemisë “Coronavirus”, Manuel Neuer kishte pësuar 38 gola në 37 ndeshje zyrtare me klubin e tij (një mesatare prej 1.03 golash për lojë), duke e ruajtur të paprekur portën e vet në 15 raste, 4 prej tyre në Champions.

Nga ana e tij, Marc-André Ter Stegen ka pësuar 34 gola në 34 ndeshje me Barçën (1 gol për lojë) dhe e ka mbajtur të pastër portën e tij 11 herë, 3 në Ligën e Kampionëve.