Nesër finalja e madhe në Kupën e Kosovës, Golden Eagle Ylli ndaj Sigal Prishtinës

Nesër finalja e madhe në Kupën e Kosovës, Golden Eagle Ylli ndaj Sigal Prishtinës
Çlirim Gashi

06.02.2021 / Sport

Tashmë jemi në ditët e fundit të “FINAL 8” Kupa e Kosovës, ku u zhvilluan ndeshje tejet interesante.

Ky edicion i cili po zhvillohet në palestrën “13 Qershori” në Suharekë, që nga 3 shkurti ka pasur ndeshje, ku mund të thuhet lirshëm që kanë dhuruar spektakël në basketbollin kosovar.

Gjatë ditës së djeshme u zhvilluan gjysmëfinalet e këtij edicioni, ku Golden Eagle Ylli e mposhti Rahovecin me rezultat të bindshëm 66:87 (12:21, 21:18, 7:19, 26:29).

Po ashtu dje u zhvillua edhe gjysmëfinalja e radhës, Sigal Prishtina ndaj Ponte Prizrenit, ku prishtinasit fituan me rezultat të ngushtë 75:79 (20:22, 20:10, 17:26, 18:21).

Pra, me këto fitore këto dy klube basketbollistike u kualifikuan në finalen e madhe të Kupës së Kosovës.

Nesër (e dielë) do të zhvillohet kjo finale e shumëpritur, ku klubi suharekas, Golden Eagle Ylli do të përballet ndaj Sigal Prishtinës.

Ndryshe kjo finale zhvillohet nesër në ora 19:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

RAPORTO