Çlirim Gashi
12.03.2019, 17:46

Në ndeshjen e nesërme KB Ylli vlerësohet favorit!

Java e XXI në Superligën e Kosovës në basketboll do të zhvillohet në mesjavë, më saktësisht të mërkurën dhe të enjten, ku nesër do të zhvillohet ndeshja në mes klubit të qytetit, KB Golden Eagle Ylli kundër AFK Borea.

Të mërkurën është në program vetëm një ndeshje, ajo në mes Golden Eagle Yllit dhe AFK Borea-s, e cila do të luhet me fillim nga ora 19:00 në palestrën “13 Qershori” në Suharekë.

Golden Eagle Ylli vlerësohet favorit absolut karshi AFK Borea-s, andaj pritet që ekipi nga Suhareka të shënoj fitoren e radhës në elitën e basketbollit

Ndërkaq të enjten janë në program dy takime, dhe që të dyja në ora 19:00.

Në Prizren, Bashkimi e pret Trepçën, ndeshje kjo që vlerësohet si edhe më interesantja e kësaj xhiroje dhe në të cilën pritet rivalitet i madh ndërmjet skuadrave.

Në palestrën e re “Mizahir Isma” në Rahovec, ekipi nga i njëjti qytet e pret Lipjanin ndaj të cilit vlerësohet favorit.

Dueli në mes Ponte Prizrenit dhe Z Mobile Prishtinës do të luhet në një orar tjetër, pasi që skuadra nga kryeqyteti të mërkurën do të zhvillojë ndeshje në kuadër të FIBA Europe Cup.

Pas 20 xhirove të luajtura është Z Mobile Prishtina që vazhdon të kryesoj me 40 pikë, nga 20 ndeshje ka realizuar 20 fitore, e ndjekur nga Golden Eagle Ylli, Rahoveci dhe Ponte Prizreni.