08.10.2019, 18:12

Ndeshja e jetës për Rashicën, lojtarët e Kosovës mund të bëhen heronj

Trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt i ka uruar suksese Milot Rashicës dhe Përfaqësueses së Kosovës

Milot Rashica mezi po e pret ndeshjen me Malin e Zi, e cila mund të jetë vendimtare për fatin e Përfaqësueses së Kosovës.

Futbollisti kosovar mungoi në dy ndeshjet e shtatorit ndaj Republikës Çeke dhe Anglisë, në kuadër të kualifikimeve për Euro 2020.

Mirëpo, ylli vushtrrias do të jetë në dispozicion të trajnerit Bernard Challandes për duelin e 14 tetorit.

Nëse “Dardanët” fitojnë në stadiumin “Fadil Vokrri” të hënën që vjen, gjasat e tyre për kualifikim në Evropian do të rriten dukshëm.

Dhe, trajneri i Werder Bremenit, Florian Kohfeldt i ka uruar sukses me Verdhekaltrit lojtarit të tij më të rëndësishëm.

“Kjo lojë është gjithçka për Kosovën, lojtarët mund të bëhen heronj. Miloti e ka përpara lojën më të rëndësishme të jetës së tij me Kosovën”, ka thënë trajneri gjerman për tabloidin “Bild”.

LEXO EDHE:  Panairi i sportit edhe në Suharekë

Rashica ëndërron të kualifikohet në Evropian me Kosovën, qoftë përmes kualifikimeve, apo edhe nëpërmjet Ligës së Kombeve.

Mesfushori ofanziv së fundmi e la prapa krahëve lëndimin dhe u rikthye furishëm duke shënuar dy gola, ndaj Borussia Dortmundit dhe Eintracht Frankfurt.

Kosova gjendet aktualisht në pozitën e tretë në Grupin A me 8 pikë, një më pak se Republika Çeke, me të cilën do të luftojë për pozitën e dytë.

“Dardanët” do ta zhvillojnë një ndeshje miqësore këtë të enjte me Gjibraltarin, ndërsa të hënën tjetër do të luajnë me Malin e Zi. /Gazeta Express/

© SuharekaOnline. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.