Muriqi: I kënaqur për golat e shënuar, e ardhmja në dorën e Lazios

Muriqi: I kënaqur për golat e shënuar, e ardhmja në dorën e Lazios
Taulant Krasniqi

01.06.2021 / Sport


Te Lazio kaloi një sezon pa shkëlqim, duke mbetur kryesisht në hijen e Immobiles, por te Kosova Vedat Muriqi vijon të bëjë mjaft mirë dhe sot shënoi 4 herë në portën e San Marinos.

Në intervistën pas ndeshjes sulmuesi foli jo vetëm për kënaqësinë e pokerit të parë të karrierës, por edhe për të ardhmen e tij.

A e kishit parashikuar se do të shënonit 4 gola sot?

Nuk e kisha menduar në fakt se do të shënoja kaq, por jam shumë i lumtur që ia dola. Bashkëpunova shumë mirë me shokët dhe jam i kënaqur, pasi janë 4 gola që vijnë pas një sezoni jo fort të mirë me Lazion.

Çfarë mësuam në miqësoren ndaj San Marinos?

Ne vinim pas disa rezultatesh jo fort pozitive, ndaj kishim nevojë të fitonim sot, pavarësisht se luanim ndaj San Marinos. Mendoj se e interpretuam mirë ndeshjen, por për fat të keq morëm një gol në minutat e fundit.

A do të dëshironit një rikthim te Fenerbahce?

Faktikisht asgjë nuk varet më nga unë, pasi verën e kaluar Lazio ka shpenzuar shumë para për mua dhe u takon atyre të vendosin, pasi ata e dinë më mirë se çfarë bëjnë. Unë kam edhe 4 vite kontratë me ta dhe jam i obliguar për të respektuar atë, ndaj kur të nisin përgatitjet për sezonin e ri, do të jem në Romë. 

RAPORTO