Trajneri i FC Ballkanit, Ismet Munishi ka ardhur me një ide ndryshe që vendi ideal për ndërtimin e Stadiumit Nacional është Koretica.

Munishi në “Dueli Sportiv” tha se Kosovës i duhet një vend me rreth 30 mijë ulëse si dhe stadiumi duhet ta ketë një pronar, në këtë rast Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), e cila do ta mirëmbante atë.

“Stadiumi duhet ta ketë një pronar, në këtë rast FFK-ja, e cila do ta mirëmbante atë. Lokacioni perfekt është Koretica bazuar në pozicionin gjeo-strategjik, unë andej endem çdo ditë me veturë dhe është vendi i duhur”, deklaroi Munishi.

Po ashtu Munishi tha se: “Këtu kemi dy koncepte – konceptin e stadiumit nacional i cili në një farë forme i organizojmë ndeshjet më lehtë dhe kemi më shumë të hyra dhe mund të shfaqemi më mirë para botës”.

Ndërsa sipas Munishit koncepti i dytë është infrastruktura e klubeve të Kosovës, që nuk e kemi fare.

Ai tha se nuk do të ketë ndonjë problem për kosto të mirëmbajtjes, por me gjenerimin e të ardhurave nga ndeshjet e Kosovës, mund të financohen klubet kosovare.