Munishi: Challandes nuk ka më çfarë të jap, i ka dalë situata jashtë kontrollit

29.03.2021

Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Katar 2022”. Dardanët, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri” pësuan humbje nga Suedia, me rezultat të thellë 3:0. Për Suedinë kjo ishte fitorja e dytë, ngase tri ditë më herët shënoi fitore edhe nga Gjeorgjia. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa […]

Munishi: Challandes nuk ka më çfarë të jap, i ka dalë situata jashtë kontrollit Foto: Ilustrim

Kombëtarja e Kosovës e ka nisur me humbje ciklin kualifikues për Botërorin “Katar 2022”.

Dardanët, të dielën, në stadiumin “Fadil Vokrri” pësuan humbje nga Suedia, me rezultat të thellë 3:0.

Për Suedinë kjo ishte fitorja e dytë, ngase tri ditë më herët shënoi fitore edhe nga Gjeorgjia. Kosova e nisi mirë ndeshjen dhe krijoi disa mundësi para portës mysafire në minutat e para, por në minutën e 17-të suedezët zhbllokuan shifrat. Ishte Viktor Claesson, i cili realizoi pas asistimit të Ibrahimoviqit.

Epërsinë në 2:0 mysafirët e shtuan në minutën e 35-të, kur Alexander Ixak shfrytëzoi një tollovi para portës së Ujkanit. Në pjesën e dytë suedezët arritën ta administrojnë epërsinë e krijuar, derisa në minutën e 70-të i çuan shifrat në 3:0 përmes kapitenit Sebastian Larsson nga pika e bardhë.

Kosova e mbylli ndeshjen me 10 lojtarë, pasi Bernard Berisha, i cili u inkuadrua në lojë në minutën e 83-të u përjashtua pas dy kartonë të verdhë.

Por, shqetësues ishte fakti se Kombëtarja nuk arriti në pjesën e dytë as të krijojë ndonjë rast, dhe kjo duket se e ka mllefosur edhe Munishin.

Munishi duke folur për “ATV”, deklaroi se selektori Challandes nuk ka më çfarë të ofrojë në Kombëtare dhe ndoshta kohës së tij i ka ardhur fundi.

“Rrezikojmë të mbesim të fundit, ky selektor nuk ka më çfarë të jap, i ka dalë situata nga kontrolli, në 12 lojët e fundit kemi 10 humbje”, tha ai.

“Të fortë ata, të fortë këta, kush është i dobët për neve, ne duhet ta mposhtim dikë, nuk pres fitore nga Spanja, por të paktën duhej ta vendosnim Suedinë në vështirësi, çfarë lojë kanë shikuar ata, nuk ishim të barabartë me ta. Forcohuni, fitoni ndaj dikujt”, tha Munishi.

“Humbëm 0-3 dhe jemi skuadër e cila del e bën deklarata të ndryshme, nuk mundën të na qesin hi syve, fitore ndaj kundërshtarëve të dobët ndërkohë humbim pa ndërprerë kur ka rëndësi”, përfundoi Ismet Munishi.