Milani konfirmon tërheqjen nga Superliga Evropiane

Milani konfirmon tërheqjen nga Superliga Evropiane
Çlirim Gashi

21.04.2021 / Sport

Idea dhe përpjekja për themelimin e Superligës Evropiane është duke shkuar drejt fundit.

Ishte shtëpia më e madhe e futbollit, UEFA e cila ka dënuar dhe kundërshtuar nismën për formimin e një lige të tillë.

Gjatë ditës së hënë klubet më të mëdha të ligave si: Premier Liga, Serie A dhe La Liga konfirmuan pjesëmarrjen në Superligën Evropiane.

Chelsea, Manchester City, Manchester United, Arsenal, Tottenham Hotspur, Liverpool, Barcelona, Real Madrid, Atletico Madrid, Milani, Interi dhe Juventusi ishin klubet të cilat konfirmuan pjesëmarrjen në këtë ligë.

Ndërsa kundërshtimet e fuqishme nga UEFA, FIFA dhe tifozët e futbollit kanë bërë që kjo ligë të mos jetësohet.

Ishin klubet angleze të parat që janë tërhequr nga pjesëmarrja dhe themelimi i Superligës Evropiane, më pas këtyre klubeve i’u bashkangjitën edhe klubet italiane dhe Atletico Madrid nga liga spanjolle.

Barcelona dhe Real Madridi janë klubet spanjolle që ende nuk janë tërhequr nga themelimi i kësaj lige.

Gjatë ditës së sotme tërheqjen e ka konfirmuar edhe klubi italian, AC Milani duke thënë se ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë, por evolucioni është i domosdoshëm për përparimin.

“Ne e pranuam ftesën për të marrë pjesë në projektin e Superligës me qëllimin e mirëfilltë për të ofruar një garë më të mirë të mundshme evropiane për tifozët e futbollit në të gjithë botën dhe në interesin më të mirë të klubit dhe tifozëve tanë”.

“Ndryshimi nuk është gjithmonë i lehtë, por evolucioni është i domosdoshëm për përparimin, dhe strukturat e futbollit evropian kanë evoluar dhe ndryshuar gjatë dekadave”, thuhet në njoftimin e klubit italian.

Po ashtu gjatë njoftimit të këtij klubi ka theksuar se zërat dhe shqetësimet e tifozëve në të gjithë botën janë shprehur qartë për Superligën.

“Sidoqoftë, zërat dhe shqetësimet e tifozëve në të gjithë botën janë shprehur qartë për Superligën, dhe AC Milan duhet të jetë i ndjeshëm ndaj zërit të atyre që e duan këtë sport të mrekullueshëm”.

“Ne do të vazhdojmë të punojmë shumë për të dhënë një model të qëndrueshëm për futbollin”, thuhet në komunikatën zyrtare të Milanit.

RAPORTO