Kosova U19 në hendboll shënon fitoren e dytë rresht në Botëror, mposht bindshëm Kuvajtin
11.08.2025
Kombëtarja U19 e Kosovës në hendboll ka vazhduar serinë e fitoreve në Kampionatin Botëror që po zhvillohet në Egjipt, duke triumfuar të hënën ndaj Kuvajtit me rezultat bindës 36:23, në ndeshjen e parë të fazës së dytë grupore.
Që nga fillimi i takimit, hendbollistët kosovarë dominuan plotësisht, duke mbajtur një epërsi të pakontestueshme deri në fund të ndeshjes.
Portieri Olt Kabashi u shpall lojtari më i mirë i takimit, falë nëntë pritjeve vendimtare. Në fazën sulmuese, Olsi Mulaj shkëlqeu me 13 gola, ndërsa Amar Muqolli dhe Suad Pajaziti kontribuan me nga pesë gola secili. Drijon Istrefi dhe Arbian Thaqi realizuan nga tre gola.
Kosova do të zhvillojë ndeshjen e radhës të martën, ku përballë do të ketë Portugalinë.