Kosova U17 në të njëjtin grup me Finlandën, Letoninë dhe Bullgarinë në Evropianin e Hendbollit

28.01.2025

Shorti i Kampionatit Evropian për hendbollistet deri në 17 vjet, i cili do të mbahet në gusht në Prishtinë, është tërhequr mëngjesin e sotëm në Vjenë. Kombëtarja e Kosovës U17 do të jetë pjesë e Grupit A së bashku me Finlandën, Letoninë dhe Bullgarinë.

Në Grupin B të këtij turneu do të konkurrojnë Italia, Izraeli, Ukraina dhe Britania e Madhe. Të gjitha ndeshjet e këtij kampionati do të zhvillohen në kryeqytetin e Kosovës, në periudhën prej 4 deri më 10 gusht.

Kjo është një mundësi e shkëlqyer për hendbollistët e reja kosovare që të tregojnë talentin e tyre në një arenë ndërkombëtare dhe të përfaqësojnë vendin me sukses. Federata e Hendbollit e Kosovës shpreh besimin se vajzat tona do të japin maksimumin e tyre dhe do të arrijnë rezultate të mira në këtë kompeticion.

Ky eveniment sportiv është një tjetër sukses për sportin kosovar dhe një dëshmi e rritjes së vazhdueshme të hendbollit në vend. Prishtina do të jetë shtëpia e talenteve të reja të hendbollit nga e gjithë Evropa, duke krijuar një atmosferë të veçantë sportive.