Kosova pësoi humbje edhe nga Britania e Madhe

Kosova pësoi humbje edhe nga Britania e Madhe
Çlirim Gashi

08.08.2019 / Sport

Basketbollistët e Kosovës kanë pësuar humbje në duel me Britaninë e Madhe në fazën parakualifikuese për “Eurobasket 2021”. Ndeshja e zhvilluar në palestrën “Minatori” në Mitrovicë është mbyllur, me rezultat 63:71.

Për Dardanët e basketbollit kjo ishte humbja e dytë në kuadër të Grupit G parakualifikues dhe kësisoj edhe humbën shpresat për kualifikim tutje. Basketbollistët tanë patën paraqitje të dobët, derisa ylli i ekipit Dardan Berisha ishte larg formës.

Britanikët e nisën mirë ndeshjen dhe e fituan çerekun e parë, 10:15. Në periudhën e dytë Kosova u këndell dhe e fitoi atë 17:13, për të mbyllur pjesën e parë me vetëm një pikë disavantazh, 27:28.

Megjithatë në dy çerekët e tjerë britanikët u treguan shumë më efikas dhe me meritë iu gëzuan fitores me tetë pikë epërsi.

Gabriel Olaseni me 15 pikë ishte më i miri te Britania, ndërsa te Kosova Drilon Hajrizi realizoi 17 pikë.

Kosova mbetet e fundit në grup me dy humbje. Luksemburgu e Britania prijnë me nga një fitore secila.

RAPORTO