Kosova e gatshme për ndeshjen ndaj Turqisë, optimizëm për sukses

Kombëtarja e Kosovës në konkurrencën e femrave dje e ka mbajtur seancën e fundit stërvitore para ndeshjes me Turqinë, e cila zhvillohet sot në mbrëmje në orën 20:00, në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Në seancën e cila ka zgjatur më rreth 1 orë e gjysmë është punuar në skemat përfundimtare të lojës, por edhe në lojën në hapësira të vogla si dhe në koordinimin sa më të mirë ndërmjet reparteve.

Edhe në stërvitjen e sotme atmosfera në ekip ishte e shkëlqyeshme dhe të gjitha futbollistet e presin me padurim përballjen e nesërme me kombëtaren turke.

Motivi dhe besimi për nismë të mbarë të këtyre kualifikimeve vërehet tek secila prej futbollisteve, ndonëse kanë respekt për cilësitë e rivaleve. Hyrja në stadium në ndeshje do të jetë falas, prandaj pritet që edhe numri i tifozëve për t’i përkrahur vashat tona në ndeshjen e tyre të parë të ciklit kualifikues për Euro 2021 të jetë e madhe, gjë e cila pa dyshim do t’i jepte atyre motiv shtesë.

Deklaruan pas stërvitjes
Modesta Uka: Jemi përgatitur shumë mirë gjatë tri ditëve të stërvitjeve dhe besoj se do të japim maksimumin në ndeshjen e sotme dhe në fund do të fitojmë. Sigurisht se edhe rivalet do të tregojnë lojë të fortë, por ne jemi të gatshme për këtë sfidë. Natyrisht se do të ishte ndjenjë e veçantë të shënoja gol në këtë ndeshje, por ajo çfarë është më e rëndësishme është që si ekip të funksionojmë mirë dhe në fund të marrim rezultatin që e dëshirojmë.

Fjolla Shala: Secila prej vajzave duhet ta japë maksimumin ngase përballë kemi një rivale të fortë. Dëshira për fitore është e madhe dhe gjatë këtyre tri ditëve stërvitjeve kemi funksionuar shumë mirë. Nuk kemi nevojë ta mbivlerësojmë Turqinë edhe ato luajnë si ne. Futbolli është i papritur dhe vetëm fusha e lojës do ta dëshmojë kush është më i mirë. Në këtë ndeshje kemi nevojë edhe për përkrahjen e tifozëve, pasi duartrokitjet e tyre do të na japin zemër për fitore.

Blerta Shala: Pres që të kemi angazhim maksimal secila prej lojtareve që do të jetë në fushë dhe të luajmë me zemër. Pa dyshim është kënaqësi ta përfaqësosh Kosovën dhe besoj se në fund edhe do të fitojmë. Shpresoj që të kemi përkrahje sa më të madhe nga tribunat jo vetëm nga familjarët tanë por edhe nga tifozët.

RAPORTO