Kontrata e Lionel Messit te Barcelona përfundon sot

30.06.2021

Pas një sezoni jo edhe të shkëlqyeshme të Lionel Messit dhe Barcelonës, sot edhe zyrtarisht do të ndërpritet bashkëpunimi kontraktual mes klubit katalunas dhe argjentinasit. Aktualisht Lionel Messi gjendet me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës dhe se ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, të qëndrojë apo të largohet nga blaugranët. […]

Kontrata e Lionel Messit te Barcelona përfundon sot Foto: Ilustrim

Pas një sezoni jo edhe të shkëlqyeshme të Lionel Messit dhe Barcelonës, sot edhe zyrtarisht do të ndërpritet bashkëpunimi kontraktual mes klubit katalunas dhe argjentinasit.

Aktualisht Lionel Messi gjendet me kombëtaren e Argjentinës në Kupën e Amerikës dhe se ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, të qëndrojë apo të largohet nga blaugranët.

Kontrata e 34-vjeçarit skadon sot dhe nga dita e nesërme (e enjte, 1 korrik), do të jetë lojtar i lirë.

Tash e disa muaj klubi katalunas po bënë tentime për bindjen e argjentinasit që të vazhdojë kontratën, por ende nuk ka ndonjë lëvizje.

Messi kishte kërkuar të largohet nga Barcelona në verën e vitit të kaluar, por rikonfirmimi i Joan Laportas si president i klubit katalunas, ka bërë që situata të ndryshojë për të mirë, duke qëndruar argjentinasi në klub.

Kujtojmë se presidenti i klubit, Laporta kishte thënë se ai është i bindur që Messi do të qëndrojë në Camp Nou për së paku edhe dy vite, por mungon nënshkrimi në letër.

Andaj menjëherë pas orës 00:00, njëri ndër futbollistët më të mirë në histori të futbollit, do të jetë i lirë që të kalojë te çdo klub.

Sipas Transfermarkt vlera e argjentinasit është 80 milionë euro, por nëse ai do të ishte në kontratë me Barcelonën, normalisht vlera e tij do të kalonte mbi 100 milionë euro.