KOK dyfishon mbështetjen për sportistët elitarë, ua heq shpenzimet për gjashtë muaj

22.01.2021

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marrë një tjetër vendim që shkon ekskluzivisht në të mirë të federatave dhe sportistëve elitarë. BE i KOK-ut ka vendosur që të dyfishojë mbështetjen për 20 sportistët elitarë, të cilët ndodhen në listën e marrjes së bursave Olimpike për Lojërat Olimpike […]

KOK dyfishon mbështetjen për sportistët elitarë, ua heq shpenzimet për gjashtë muaj

Bordi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik të Kosovës, në mbledhjen e mbajtur të martën, ka marrë një tjetër vendim që shkon ekskluzivisht në të mirë të federatave dhe sportistëve elitarë.

BE i KOK-ut ka vendosur që të dyfishojë mbështetjen për 20 sportistët elitarë, të cilët ndodhen në listën e marrjes së bursave Olimpike për Lojërat Olimpike Tokio 2020.

Sportistët vijnë nga sportet e xhudos, boksit, mundjes, karatesë, atletikës, notit, shenjëtarisë dhe shigjetarisë.

Deri në vitin e kaluar 2020, varësisht nga kategoria në të cilën ndodhen, sportistët kanë pasur mundësi që brenda një viti të përgatiten në kampe jashtë vendit, shpenzimet e të cilave i ka mbuluar KOK-u.

Sportistët që ndodheshin në kategorinë A, i kanë pasur nga 80 ditë përgatitje brenda vitit, kategoria B nga 40 ditë, ndërsa kategoria C nga 20 ditë. 80-ditëshin e kanë arritur vetëm xhudistet, Majlinda Kelmendi, Distria Krasniqi e Nora Gjakova.

Me vendimin e ri të BE, sportistëve iu është dyfishuar mbështetja, duke ua mundësuar që për të gjitha këto ditë (80, 40 dhe 20) t’u hiqen shpenzimet për gjashtë muajt e parë të këtij viti, që i bie deri në muajin kur nisin Lojërat Olimpike Tokio 2020, të cilat mbahen prej 23 korrik – 21 gusht 2021.

Po ashtu, mbështetja vlen edhe për kampet që organizohen në Kosovë dhe Rajon, për kohën sa zgjatë pandemia Covid 19.

Krahas kësaj, BE i KOK-ut, ka vendosur që brenda këtyre gjashtë muajve, të cilët shihen si kruciale për të arritur normën Olimpike Tokio 2020, t’iu mundësojë heqjen e shpenzimeve sportistëve elitarë në njërën nga garat, të vlefshme për pikë Olimpike Tokio 2020.

Në ditët e ardhshme do të publikohet edhe vendimi për bursistët Olimpikë për Lojërat Olimpike Dimërore Pekin 2022.

Etiketat