Klubet evropiane fillojnë stërvitjet, çka po ndodhë me Superligën? Flasin nga Ballkani, Llapi dhe Drenica

Pavarësisht se shumica e vendeve të botës vazhdojnë të qëndrojnë në izolim për shkak të pandemisë, e cila ende po vepron në kohëzgjatje të mistershme, klubet dhe ligat evropiane tashmë kanë filluar të mendojnë për rikthim.

Në fakt, përkundër faktit se disa top kampionate ende nuk kanë marrë urdhëresë zyrtare për rikthim në stërvitje, klubet kanë gjetur mënyra kreative tjera për t’i mbajtur futbollistët në formë, shkruan Periskopi.

Po preferohen stërvitjet me nga tre deri në pesë futbollistë, duke mbajtur distancën, në mënyrë që të rikthehet ritmi dhe kur t’iu kërkohet, të jenë të gatshëm për lojë.

Shembuj të tillë kanë ndjekur klube nga Premier League, Bundesliga, Serie A e La Liga.

Sidoqoftë, nuk ka shenja deri tash se diçka e tillë do të ndodhë edhe në Superligë.

Klubet po vazhdojnë të qëndrojnë të heshtura dhe duken paksa të hutuara, derisa pandemia i ka zënë në befasi të gjithë.

Megjithatë, qartazi mungon vullneti që të gjendet një zgjidhje, në mënyrë që të shohim futboll sa më kualitativ pasi të rikthehen ndeshjet.

Periskopi ka kontaktuar me trajnerë të Superligës për ta vlerësuar situatën, derisa të gjithë ishin njëzëri për vështirësitë që do t’i kishin në mungesë të kushteve, nëse vendosin të ndjekin shembujt e klubeve evropiane.

Trajneri i Drenicës, Gani Sejdiu është shprehur:

“Po, e shqyrtojmë këtë formë kur të krijohen kushtet dhe të kemi lirinë e lëvizjes, por duhet të sigurohemi që mos të rrezikohemi, sepse ne nuk mund të krahasohemi me klubet evropiane, sepse ata perveç stafit mjekësor që kujdeset për preventivat shëndetësore, posedojnë edhe numër të konsiderueshëm te asistentave si dhe infrastrukturen e cila ju mundëson që ta implementojnë këtë formë në mënyrë të sukseseshme.

“Por, sidoqoftë, nëse na lejohet të fillojmë stërvitjet, edhe ne me kushtet që i kemi do te dimë që të organizohemi dhe të stërvitemi pa u rrezikuar shëndeti i individëve, sepse do të marrim edhe ne ato masat e duhura preventive, e që normal nuk do të jetë e lehtë duke pasë parasysh mundësitë dhe kushtet që i kemi.”

Edhe trajneri i Llapit, Tahir Batatina u shpreh rreth situatës, duke thënë se pamundësia e lëvizjes po i vështirëson gjërat, por tha se e ka të gatshëm planprogramin e stërvitjeve në kushte të tilla.

“Po presim derisa të lirohen qytetet nga karantina sepse po kanë problemë lojtarët me lëvizë,” tha ai.

“Shpresoj prej dates 05/05/2020 do të vazhdojmë po që se nuk kemi ndonjë situatë që do të na pengojë për të vazhduar.

“Planprogarmin e kam përpilu dhe e kam bër publik, që fillimi do të jetë me seanca stervitore me grupe nga 5 lojtarë dhe aty do ta mbajmë distancën mes vete lojtarët. Nuk do t’i lëm të kenë kontakte as në zhveshtore mes vetë do të vendosen vetem nga dy lojtarë me një zhveshtore dhe pas përfundimit të seancave secili do ta bëjë higjenën personale ne familje, jo në zhveshtore…”

Ndihmës-trajneri i Ballkanit, Agim Maliqi tha se në këto rrethana – derisa shteti është i izoluar – është e pamundur të stërvitet.

“Kjo nuk varet nga ne, për t’u stërvitur ne grupe nga 5 lojtarë, varet prej masave që i merr shteti. Nëse ka qytete në karantinë atëherë nuk është e mundur të stërvitesh. Shpresojme që shpejt të kthehemi në fusha, po them se asgjë nuk varet nga ne,” është shprehur Maliqi.

Me izolim apo pa izolim, sigurisht se duhet të mendohet të gjendet një zgjidhje, pasi do të ketë pasoja të mëdha me rikthimin e ndeshjeve të Superligës, nëse nuk ka stërvitje të hershme.

Parashikimi është që do të shohim një ritëm të ngadaltë të lojës në ndeshjet evropiane, ku qysh tash kanë filluar stërvitjet, e kjo tregon shumë për kualitetin e lojës që do ta kemi në elitën e futbollit kosovar që ende nuk i është kthyer aktiviteteve.

RAPORTO